Marrëveshja për pensionet me Italinë, Hasani: Po punojmë ta arrijmë edhe me Greqinë

Ministri i Jashtëm, Igli Hasani ka dhënë një intervistë për emisionin “Real Story”, pas marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për njohjen e pensioneve. Ai ka ndarë detaje nga kjo marrëveshje, duke theksuar se përfitojnë 500 mijë shqiptarë dhe mijëra italianë.

Sipas ministrit, marrëveshja për pensionet hyn në fuqi, dy muaj pas ratifikimit në parlamentin shqiptar dhe atë italian.

Sakaq, Hasani ka theksuar se për njohjen e pensioneve, po punojnë me 17 vende të tjera, mes tyre dhe Greqia.

Një pjesë nga intervista e ministrit Igli Hasani:

Sa shqiptarë dhe sa italianë përfitojnë nga marrëveshja që nënshkruat?

Janë pothuajse 500 mijë shqiptarë që përfitojnë nga kjo marrëveshje, të kategorive të ndryshme por unë po jap shifrën totale. Dhe janë disa dhjetëra mijëra italianë, të cilët në të njëjtën mënyrë do përfitojnë nga skema e kontributeve që kanë dhënë si në Itali dhe në Shqipëri. Kjo marrëveshje ka rregulluar një herë e mirë të gjithë gapin që është krijuar në këto tre dekada, për të gjithë shqiptarët që kanë ardhur dhe kanë punuar në Itali, por padyshim edhe për të gjithë ata italianë që kontributin e tyre e kanë të shprehur dhe evidentë edhe në Shqipëri.

Më lejoni t’ju marr një shembull, presupozojmë se një shqiptar ka punuar 10 vjet në atdhe është siguruar aty ka derdhur kontribute, dhe ka shpenzuar 20 apo 30 vite në Itali, ku do e ketë ai të drejtën të përfitojë pension?

Të drejtën do ta kenë kur t’i vijë mosha, kur t’i lindë e drejta për të marrë pension dhe ajo e drejtë do të lindë në vendin e rezidencës ku do të jetë. Pra, një individ që jeton në Itali, ka punuar për një periudhë të caktuar në Shqipëri dhe tani është resident në shtetin Italian kjo e drejtë i lind në Itali. Një resident në Shqipëri, një shtetas Italian që ka vendosur që ta kalojë pensionin në Shqipëri, do i lindë e drejta në Shqipëri.

Pra, përjashtohet ideja e gabuar që do marrë pension edhe në Shqipëri edhe në Itali?

Cdo kush merr një pension.

Pra, nuk ka mundësi të ketë përfitim të dypalshëm. Pas këtij momenti, duhet ratifikimi në parlament, sa kohë mendoni se do t’ju marrë procedura e mëtejshme për ta vënë në zbatim këtë marrëveshje?

Kuvendi i Shqipërisë menjëherë do të nisë procedurën e brendshme për ratifikimin e kësaj marrëveshje. Mendoj edhe pala italiane do të ketë të njëjtin proces, pra është thjesht ratifikimi i dy parlamenteve që do jetë koha për ta futur në fuqi, dhe pas ratifikim do duhen edhe 2 muaj për hyrjen në fuqi të plotë.

A mund të na hiqni skepticizmin se kjo marrëveshje, po ju japim pensionet, nuk lidhet me faktin se po na merrni emigrantët?

Shqiptarët janë një pjesë integrale e shoqërisë, kanë kontribute aq të mëdhaja sa askush nuk mund t’i shohë në këtë mënyrë.

Pse vetëm tani, pse përkon ky moment tani, e përjashtoni mundësinë të ketë patur një shkëmbim diplomatik mes dy vendeve?

Nuk ka shkëmbim diplomatik, ka një marrëdhënie, që duhej parë trajtuar dhe patur parasysh me shumë kujdes, pasi cdo kthesë apo parje ndryshe e gjërave do krijonte vetëm probleme. Grupet negociuse i kanë parë gjërat në shumë detaje dhe e kanë përcaktuar qartë se cfarë duhet të përfshihet në këtë marrëveshje.

Pse me Greqinë nuk po ecën përpara, edhe me Greqinë punojmë prej vitesh. Në c’fazë jemi?

Ka punë, vetëm vitin e kaluar janë bërë dy takime të komisioneve teknike, e gjitha është pjesë e një negociate e cila ka nevojë për detaje për elemente për durim për vazhdimësi.

Është afër apo larg në parashikimin tuaj, si njohës i procesit?

Le t’i rrimë shqiptarëve që jetojnë në Itali, le t’u themi që kontributet e tyre jo vetëm do njihen por janë të garantuara dhe ne do vijojmë që të punojmë me të gjitha vendet e tjera që jemi në negociata që janë jo pak, por janë 17 vende me të cilat po punojmë.

/f.s

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com