Ligji i ri i për organizimin e biznesit, Ibrahimaj: Sfida e qeverisë për krijimin e një dhome unike

Janë më shumë se 180 dhoma apo organizata biznesi, por vetëm 10 % e këtij të fundit përfaqësohet nga këto organizata. Ajo që nuk ka ndodhur në tre dekada do të ndodhe këtë vit. Në një intervistë të posaçme për RTSH, Delina Ibrahimaj tregon të gjitha hollësitë.

“Prej shumë vitesh diskutohet një reformë për përfaqësimin e biznesit për strukturat dhe organizmat e përfaqësimit të biznesit. Ne aktualisht kemi një sistem ku numëron rreth 180 dhoma, ku numri i bizneseve të regjistruar në këto dhoma shkon më pak se 10 % e numrit total të bizneseve që operojnë në vend”, tha Ibrahimaj, Ministre Shteti për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit.

Po çfarë propozim të ri ka qeveria për sipërmarrjen dhe mënyrën e organizmit të tyre dhe tek cilat modele mbështetet ky propozim i ri?

“Ne duam të garantojmë që niveli i përfaqësimit të mos ketë vetëm një dimension rajonal por të ketë edhe një dimension sektorial. Përmes sistemit të ri të dhomave që propozojmë, duhet të krijojmë një dhomë unike kombëtare, e cila lë hapësirë për mënyra të tjera organizimi jashtë dhomës unike, por që të ketë një qasje rajonale dhe sektoriale”, tha ministrja Ibrahimaj.

Qeveria ka menduar edhe mënyrën e formalizimit të regjistrimit të biznesit duke zgjedhur anëtarësimin e detyrueshëm të bizneseve.

“Ne duam të krijojmë një mekanizëm që minimalisht regjistrimin në dhomën unike kombëtare të jetë i detyrueshëm për bizneset, pasi vetëm në këtë formë ne mund të garantojmë që do të kemi të gjithë tërësinë e bizneseve që operojnë në Shqipëri”, tha Ibrahimaj.

Sfida e re e përbashkët e qeverisë dhe e biznesit nis tremujorin e parë të këtij viti për të përfunduar brenda dy viteve, gjatë të cilëve buxheti i shtetit financon anëtarësimin e detyrueshëm të bizneseve.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com