Lufta në shumë fronte në Lindjen e Mesme/ Sulmohet anija amerikane, SHBA rrëzon 10 dronë të Jemenit

Në rajonin e trazuar të Lindjes së Mesme, vijon përplasja në shumë fronte. Paralelisht me luftën e përgjakshme të Izraelit në Rripin e Gazës, shtetet e bashkuara dhe aleatët përballen me sulme në rritje nga milicitë e mbështetura nga Irani.

Ndërsa ka premtuar kundërpërgjigje të fortë ndaj grupeve që veprojnë në Irak e që konsiderohen përgjegjëse për vrasjen e tre ushtarëve amerikanë, Uashingtoni po mundohet të frenojë rebelët Houthi që shënjestrojnë lundrimin ndërkombëtar. Por deri tani nuk ja ka dalë.

Lëvizja që kontrollon pjesë të Jemenit tha se kishte goditur një anije tregtare amerikane në Detin e Kuq. Grupi e ka identifikuar anijen si KOI, e cila siç thotë operohet nga Shtetet e Bashkuara.

Forcat detare të Jemenit ndërmorën një operacion të posaçëm ushtarak që vinte në shënjestër anijen tregtare amerikane KOI, e cila po i drejtohej porteve të Palestinës së pushtuar, me një sërë raketash detare që e godinën drejtpërdrejtë mjetin”, tha zëdhënësi i militantëve, Yahya Sarea.

Firma e sigurisë detare Ambrey bëri të ditur se anija që operonte në jug të portit Aden, të Jemenit, raportoi një shpërthim në bord, por pa e identifikuar atë. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, KOI është një anije kontejner me flamur Liberian, e menaxhuar nga një kompani me bazë në Britaninë e Madhe. E njëjta ka pjesë të flotës së saj edhe cisternën “Marlin Luanda”, e dëmtuar nga një raketë të shtunën.

Sakaq, shtetet e bashkuara ndërmorën një valë të re sulmesh ajrore në Jemen, që shënjestroi 10 dronë që po bëheshin gati për tu lëshuar. Rebelët Houthi i konsideron të gjitha anijet izraelite, amerikane dhe britanike si shënjestra legjitime për shkak të luftës së Izraelit në Rripin e Gazës.

/f.s

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com