Kurti mbledh “koalicionin e tij” në Maqedoninë e Veriut, kërkohet President shqiptar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i priti në një takim në zyrën e tij të martën liderët e katër partive shqiptare të Maqedonisë së Veriut, të cilët kërkuan që presidenti i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut të jetë shqiptar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale maqedonase në të cilat partia e Kurtit Lëvizja Vetëvendosje pritet të garojë në një listë të përbashkët me tri prej tyre.

Takimi i Kurtit me Arben Taravarin, kryetar i Aleancës për Shqiptarët (ASh), si dhe udhëheqësit e Lidhjes Evropiane për Ndryshim (LEN), kryetarin e Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, kryetarin e Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, dhe kryetarin i Alternativës, Afrim Gashi, vjen pak muaj para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në shtetin fqinj.

Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, tri nga katër partitë shqiptare të Maqedonisë së Veriut që Kurti i priti sot në takim, Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike, paralajmëruan listë të përbashkët zgjedhore për zgjedhjet e 8 Majit.

Atë muaj, këshilltari i Kurtit dhe anëtari i partisë së tij Lëvizja Vetëvendosje, Bekim Qoku, i cili ka edhe shtetësi maqedonase dhe ishte i pranishëm në takimin e sotëm, kishte thënë se Vetëvendosje do t’i bashkohet kësaj liste.

Sipas njoftimit të Kryeministrisë të martën, katër liderët e partive shqiptare shprehën propozimin e tyre për “një president të Maqedonisë së Veriut i cili mishëron bashkëjetesën mes etnive dhe garanton rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, president i cili kësaj radhe duhet të vijë nga mesi i shqiptarëve”.

“Temë e diskutimit ishte edhe situata shoqërore e ekonomike e komunitetit shqiptar në Maqedoni, nevoja për demokraci e stabilitet si dhe përmirësim e mbarëvajtje të raporteve mes komuniteteve etnike në atë vend, gjë të për të cilën Kosova vetë është shembull, por edhe e promovon dhe e mbështet”, thuhet në njoftim.

Kryeministri i deritanishëm i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, njëherësh kryetar i Lidhjes Social-Demokrate (LSDM), ishte shprehur i befasuar me këtë angazhim të Vetëvendosjes në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut.

“Kjo mendoj se nuk paraqet një dinamikë të dëshiruar”, tha ai më 25 dhjetor.

Një tjetër reagim më 17 janar bëri ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, duke thënë se “përfshirja e politikës zyrtare të Kosovës në skenën politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, mund të reflektohet në fragmentimin e politikës shqiptare – tendencë e nxitur nga faktorë të jashtëm”.

Vetëvendosja nuk është e regjistruar si subjekt politik në Maqedoninë e Veriut, por bashkëpunimi mes saj dhe tri partive opozitare pritet të konkretizohet me lista të përbashkëta për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në Maqedoninë e Veriut më 8 maj të vitit 2024.

Sipas Kodit Zgjedhor të Maqedonisë së Veriut, në zgjedhje mund të marrin pjesë vetëm partitë e regjistruara në regjistrin qendror. Ndërsa, lista zgjedhore mund të përmbajë emrin e ndonjë koalicioni, siç është edhe Lidhja Evropiane për Ndryshim, por në brendi të saj duhet të theksohen emrat e partive politike që përbëjnë koalicionin./REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com