Deputeti demokrat, Agron Gjekmarkaj teksa foli për Reformën Zgjedhore, komisioni për të cilën pritet të mblidhet të premten, tha se për të qenë e pakontestueshme, duhet që qeveria të arrijë konsensus me opozitën e vërtetë, që sipas tij nuk përfaqësohet nga Basha.
“Me ndryshimet e bëra në Këshillin Politik në korrik, kjo mazhorancë ndryshoi përsëri rregullat e lojës. Tani refuzon të bashkëpunojë me opozitën e vërtetë po përdor një fraksion që është më shumë si ambasador i qeverisë në opozitë sesa si përfaqësues i votës së prillit 2021”- nënvizoi ai.
I ftuar në ‘Frontline Intervieë’ me Marsela Karapançon në Report Tv, Gjekmarkaj tha se kryedemokrati Lulzim Basha u përgënjeshtrua për deklaratën e tij ku pretendonte se ambasadorët e huaj kishin ndërmjetësuar për marrëveshjen mes PS dhe PD për mbledhjen e komisionit të Reformës Zgjedhore.
“Është e shëmtuar që në darkë të bësh një deklaratë dhe në mëngjes të jesh i përgënjeshtruar nga 3 ambasada të vendit tonë. Por Basha kohët e fundit ka shumë qejf të bëjë gola në portën e vetë. Mbrëmë bëri 2 të tillë, e para kur tha se kanë ndërmjetësuar ndërkombëtarët për atë letrën e fshehtë që kishin firmosur Gjiknuri dhe Alibeaj në një zyrë pa drita. Dhe e dyta kur tha se i jemi imponuar PS-së. Se me çfarë force mundet Basha t’i imponohet, këtë nuk e di. Por tregon një farë degradimi në publik, ndoshta fakti i ndryshimit nga kryetar i vërtetë i një partie në kukull në duart e dikujt tjetër”- tha deputeti.
Ndër të tjera, ai shtoi se do të dëshironte një ndërhyrje nga faktori ndërkombëtar për situatën politike në vend.
“Do ishte një lutje që kushdo që ka mundësi të ndihmojë demokracinë shqiptare duhet ta bëjë. Ne po shkojmë jo pak vite në demokraci por ende nuk është funksionale”- shtoi Gjekmarkaj./m.j