Një fëmijë ka rrezikuar të humbasë jetën në orët e para të mëngjesit të së dielës, kur flakët përfshinë një banesë në fshatin Kodhel të Njësisë Administrative Blinisht në Lezhë.
Fëmija është përpjekur të shuajë flakët me mjete rrethanore, veprim ky që për pak mund të kthehej në tragjedi.
Në momentin kur ra zjarri në banesë gjendej e gjithë familja prej 5 pjesëtarësh, por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar mes tyre.
Zjarri ka qenë i përmasave të mëdha duke shkrumbuar të gjithë shtëpinë dhe duke e lënë familjen në qiell të hapur.
Me të marrë njoftimin në vendngjarje kanë shkuar forcat zjarrfikëse të cilat, pavarësisht përpjekjeve për të vënë zjarrin nën kontroll, nuk kanë mundur të shpëtojnë banesën e cila është përpirë nga flakët.
Për rastin në fjalë kanë nisur edhe hetimet për të zbuluar shkaqet e kësaj ngjarje të rëndë, e cila jo vetëm ka lënë një familje në qiell të hapur, por mund të kishte shkaktuar edhe tragjedi.
/a.r