DEA dhe ushtria amerikane mbërrijnë në Ekuador pas dhunës, bosi i drogës i kërkon ndihmë presidentit për t’u dorëzuar

Zyrtarë të lartë nga Departamenti i Shtetit dhe ushtria amerikane do të udhëtojnë në Ekuador në javët e ardhshme për të ndihmuar kryeqytetin Quito në përballjen me kërcënimin nga bandat e drogës.

Këtë e ka bërë të ditur Departamenti Amerikan i Shtetit, duke shtuar se zyrtarë ligjzbatues amerikanë do të udhëtojnë edhe në vendin e Amerikës së Jugut për të ndihmuar në hetimet penale pas valës së dhunës të shkaktuar nga kartelet e drogës.

Fabricio Colón Pico, një nga dy bosët kryesorë të drogës të Ekuadorit që u arratisën nga burgu dhe ishin përgjegjës për kaosin në vend, i ka kërkuar Presidentit Daniel Noboa ndihmë për t’u dorëzuar autoriteteve.

“Nuk kam asgjë për të fshehur, dua të dorëzohem zoti President”, e nis drejtuesi i Los Lobos në një video të publikuar në rrjetet sociale. “Ika se më thanë se do të më vrasin, jeta ime është në rrezik, për asnjë arsye tjetër”, vazhdon Pico, me nofkën ‘El Salvaje’ (I egër).

“Kuptoni zoti President: më garantoni jetën, se nuk do të më ndodhë asgjë dhe unë dorëzohem”, përfundon trafikanti i drogës, i cili u arratis më 9 janar nga burgu i Riobamba, 216 kilometra në jug të Kuitos.

Përgjigja e Noboas nuk vonoi shumë duke përjashtuar mundësinë e negociatave me të.

“Terroristët duhet të trajtohen si terroristë, ne do të veprojmë me vendosmëri. Vendi është lodhur nga kriminelët që vendosin kushtet. Nëse ai dëshiron të dorëzohet, askush nuk po e ndalon”,  deklaroi kreu i shtetit.

Ekuadori do t’u kërkojë të huajve që duan të hyjnë në vend përmes kufijve me Kolumbinë ose Perunë të paraqesin një certifikatë të rekordit kriminal. Kështu bën të ditur Ministria e Brendshme, duke pretenduar se me këtë masë synohet “parandalimi dhe kontrolli i hyrjes së individëve që përbëjnë kërcënim apo rrezik për sigurinë publike”.

Masa do të jetë në fuqi për aq kohë sa të zgjasin gjendja e jashtëzakonshme dhe dekretet e konfliktit të brendshëm të armatosur në vend, të nxjerra nga presidenti Daniel Noboa pas valës së dhunës të shkaktuar nga krimi i organizuar. Fëmijët dhe adoleshentët të shoqëruar nga një i afërm do të përjashtohen./m.j

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com