Berisha shkeli masën e GJKKO, Koçi bën krahasimin me Nanon: Fatosi e priti arrestimin si burrë i vërtetë! Nuk i hapi luftë drejtësisë

Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi ka qenë i ftuar në “Studio Live” me gazetarin Arbër Hitaj në Report Tv ku ka folur lidhur me zhvillimet më të fundit politike në vend si dhe sesionin e ri parlamentar që pritet të nisë më 15 janar.

Duke folur për zhvillimet në vend, ai u pyet nga moderatori lidhur me veprimet e Sali Berishës i cili po thyen vazhdimisht masën e GJKKO për të mos komunikuar me persona jo-familjarë gjatë kohës që është në arrest shtëpie.

Sipas Koçit veprimet e Berishës janë skandaloze dhe duke e krahasuar me arrestimin e Fatos Nanos në vitin 1993, tha se ky i fundit e përballoi gjithë procesin si një burrë i vërtetë dhe nuk i hapi luftë drejtësisë.

“Nuk ka fare ngjashmëri, në atë kohë shteti urdhërohej nga Sali Berisha. Njëri prej atyre prokurorëve, sot është avokat i Berishës, Genc Gjokutaj. Nano mori pafajësinë për atë që akuzohej. Nuk bëhet fjalë për para. Nano mori një ndihmë që ia sollën, çmimet ia vendosën autoritetet italiane, nuk e negocionte dot çmimin e ndihmave që erdhën nga Italia. Nuk kam parë ndonjë rast kur të sjellin një ndihmë të caktosh çmimin. Ndëshkimi me burg i Nanos ishte politik. Por ndryshe nga Berisha Nano e priti dënimin si burrë i vërtetë. Nuk i hapi asnjë lloj lufte drejtësisë, kishte pretendime se ishte i pafajshëm, por e pranoi procesin si burrë i vërtetë.  Kurse ky e keni parë çfarë ka bërë me veprim skandaloz që tregon se ky edhe kur ka qenë në krye të shtetit e bojkotonte shtetin”- tha Koçi.

Mes të tjerash, Koçi u shpreh se Berisha me veprimet që po bën, vetëm i shton votat Partisë Socialiste dhe shtoi se sipas tij tashmë ish-kryeministri nuk është gjë më shumë sesa ‘fatkeqësi partiake’

“Berisha në plan afatshkurtër ka interes sepse me këto veprime që bën, i shton votat PS-së. Por ai mendon se po luan në favor të interesave të vetë. Por bën një lojë groteske, ka një lloj vetëndjerje heroi, del aty nga ballkoni. Por kemi një ndryshim, nëse më parë ishte fatkeqësi kombëtare, sot është fatkeqësi partiake”- shtoi deputeti./m.j

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com