Bizneset turistike që ndotin hapësirat ujore do të gjobiten deri heqje license! Rama ngre Task-Forcën

Qeveria po përpiqet ti japë një zgjedhje të menjëhershme dhe përfundimtare problematikës së ujërave të ndotura që derdhen përgjatë gjithë vijës bregdetare, asaj liqenore dhe të lumenjëve në të gjithë vendin.

Të gjitha pikat turistike “Agroturizëm”,  “Bujtinë”, “Fjetinë” (hostel), “Fshat turistik tradicional”, “Hotel”, “Kamping”, “Kompleks turistik”, “Motel”, “Njësi shërbimi”, “Resort”, “Strukturë akomoduese” etj., do të përballen me penalitete të rënda deri në mbyllje të aktiviteteve, nëse nuk vendosin impiante apo nuk bëjnë sistem të grumbullimit, trajtimit dhe largimit të ujërave të ndotura, ku ato kryejnë veprimtari ekonomike në zonat bregdetare dhe bregun e liqeneve e të lumenjve, të cilat nuk i trajtojnë ujërat e ndotura, të krijuara nga veprimtaria e tyre ekonomike, dhe i shkarkojnë ato pranë ose në det, liqene apo lumenjë, shkruan rtsh.al.

Për këtë qëllim qeveria ka nxjerrë një Akt Normativ, i cili ka si qëllim ngritjen e një Task- Force, që do të drejtohet në mënyrë të drejtëpërdrejtë nga kryeministri, Edi Rama. Veprimtaria e kësaj Task- Force fillon që sot (e diel).

“Ujëra larëse”, do të konsiderohet çdo element uji sipërfaqësor, ku autoriteti kompetent parashikon të ketë një numër të madh njerëzish për t’u larë dhe ku nuk ka vendosur ndalim të përhershëm për t’u larë apo rekomandim për të mos u larë.

Trajtim i ujërave të ndotura, në kuptim të këtij akti normativ që publikon rtsh.al, nënkupton trajtimin e ujërave të ndotura, nëpërmjet vendosjes së impiantit të trajtimit dhe ndërtimit të sistemit të grumbullimit dhe largimit të ujërave të ndotura nga subjektet që kryejnë aktivitet ekonomik në zonat bregdetare ose në bregun e liqeneve e të lumenjve, e cila përfshin:

a) ndërtimin dhe funksionimin e sistemit të kanalizimeve të brendshme;

b) ndërtimin dhe funksionimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura urbane;

c) ndërtimin dhe funksionimin e rrjetit të kanalizimeve për largimin e ujërave të ndotura urbane deri në kolektor;

ç) trajtimin dhe evadimin e llumrave dhe lëndëve të ngurta që dalin nga impiantet e trajtimit.

Fusha e zbatimit

Dispozitat e këtij akti zbatohen për subjektet që zhvillojnë veprimtari ekonomike, sipas pikave të këtij akti normativ, në zonat bregdetare ose në bregun e liqeneve e të lumenjve dhe që shkarkojnë ujëra të ndotura të patrajtuara, sipas standardeve të parashikuara pranë ose në ujërat larëse, shkruan rtsh.al.

Detyrat e subjekteve

Subjektet që zhvillojnë veprimtari ekonomike sipas këtij akti normativ, në zonat bregdetare ose në bregun e liqeneve e të lumenjve kanë detyrimin që, brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij akti normativ, të vendosin impiantin ose sisteme individuale, me qëllim trajtimin e ujërave të ndotura, sipas rregullores teknike, të miratuar me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për infrastrukturën dhe të ministrit përgjegjës për mjedisin.

Detyrimin për të vendosur impiantin ose sisteme individuale, me qëllim trajtimin e ujërave të ndotura sipas rregullave teknike të miratuara me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për infrastrukturën dhe të ministrit përgjegjës për mjedisin, e kanë edhe zhvilluesit e fshatrave turistike, sipas lejes së ndërtimit.

Subjektet që kryejnë veprimtari ekonomike në zonat bregdetare ose në bregun e liqeneve e të lumenjve, të cilat shkarkojnë ujërat e ndotura në gropat septike, marrin masat për zëvendësimin e tyre me impiant ose sisteme individuale, me qëllim trajtimin e ujërave të ndotura, sipas detyrimeve të përcaktuara në këtë akt normativ dhe në rregulloren teknike.

Të gjitha objektet që janë duke u zhvilluar ose ndërtuar në zonat bregdetare, ose në bregun e liqeneve e të lumenjve, me qëllim zhvillimin e veprimtarisë ekonomike, kanë detyrimin të bëjnë vendosjen e impiantit ose sistemeve individuale, me qëllim trajtimin e ujërave të ndotura, sipas detyrimeve të përcaktuara në këtë akt normativ dhe në rregulloren teknike, përpara marrjes së certifikatës së përdorimit, shkruan rtsh.al.

Standardet për trajtimin e ujërave të ndotura

Në kuptim të këtij akti normativ, standardet për trajtimin e ujërave të ndotura, që duhet të zbatohen nga subjektet që zhvillojnë veprimtari ekonomike në zonat bregdetare ose në bregun e liqeneve e të lumenjve, janë rregullat e përcaktuara në rregulloren teknike për standardet për trajtimin e ujërave të ndotura.

Ministri përgjegjës për infrastrukturën dhe ministri përgjegjës për mjedisin, me udhëzim të përbashkët, miratojnë rregulloren teknike për standardet për trajtimin e ujërave të ndotura.

Task-Forca

Për monitorimin, inspektimin dhe marrjen e masave, në zbatim të këtij akti normativ, me qëllim rregullimin e pasojave që vijnë nga mostrajtimi i ujërave të ndotura që shkarkohen pranë ose në ujëra larëse në zonat bregdetare, ose në bregun e liqeneve e të lumenjve, ngrihet një Task-Forcë, në varësi të titullarit të Agjencisë Kombëtare të UjësjellësKanalizimeve.

Task-Forca e ushtron veprimtarinë e saj për një periudhë 1-vjeçare, e cila mund të zgjatet me urdhër të Kryeministrit.

Struktura organizative dhe rregullorja e funksionimit të Task-Forcës miratohen me urdhër të Kryeministrit.

Detyrat e Task-Forcës

Task-Forca, në ushtrimin e funksioneve të veta, ka këto detyra:

a) Kontrollin në terren për zbatimin e detyrimeve të përcaktuara nga akti normativ, nga subjektet përkatëse, veprimtaritë e të cilave prodhojnë ujëra të ndotura pranë ose në ujëra larëse, duke përfshirë kontrollin për: vendosjen e impiantit apo sistemit individual të trajtimit të ujërave të ndotura, në përputhje me detyrimet e përcaktuara në këtë akt normativ dhe me rregulloren teknike, të miratuara me udhëzim të përbashkët; zëvendësimin e gropave septike me impiante apo sisteme individuale për trajtimin e ujërave të ndotura;

b) Mbledhjen e informacionit dhe krijimin e një databaze për të dhënat e të gjitha subjekteve që ushtrojnë veprimtari ekonomike dhe shkarkojnë ujëra të ndotura të trajtuara dhe të patrajtuara pranë ose në ujërat larëse;

c) Evidentimin, në rastet kur ka, të sistemeve të brendshme të kanalizimeve dhe teknologjisë së përdorur për trajtimin dhe largimin e ujërave të ndotura të patrajtuara për të gjitha subjektet që i shkarkojnë pranë ose në ujërat larëse;

ç) Marrjen e masave administrative në rastet kur konstatohen shkeljet, sipas këtij akti normativ;

d) Ushtrimin e kontrolleve për respektimin e normave të shkarkimeve të lëngëta, pranë ose në ujëra larëse.

Për kryerjen e kësaj detyre Task-Forca bashkëpunon me inspektoratet apo strukturat përkatëse që mbulojnë fushën e mbrojtjes së mjedisit, organin që ka licencuar veprimtarinë, inspektoratin sanitar ose inspektoratin bashkiak;

dh) Pas kryerjes së inspektimit apo monitorimit të subjekteve që kryejnë veprimtari ekonomike në zonat bregdetare, liqenore, lumore ose fshatrat turistikë, vendosjen e një tabele për trajtimin ose jo të ujërave të zeza në një vend të dukshëm nga publiku;

e) Përgatitjen, në fund të muajit tetor të një raporti për subjektet, për të cilat është marrë masa administrative, sipas këtij akti normativ, dhe propozimin organeve përgjegjëse për heqjen e licencës, të lejes ose të autorizimit për kryerjen e veprimtarisë ekonomike ndaj subjekteve që nuk kanë plotësuar standardet edhe pas vendosjes së masave administrative.

Task-Forca në kryerjen e funksioneve të veta mbështetet, rast pas rasti, edhe nga Policia e Shtetit.

Masat administrative, gjobat në lekë

Task-Forca, pas kryerjes së monitorimit dhe inspektimit, kur konstaton mosvendosjen e impiantit apo sistemit individual në përputhje me rregullat teknike për trajtimin e ujërave të ndotura nga subjektet, merr masat administrative, si më poshtë vijon:

a) Subjektet e kategorisë I dënohen me gjobë, në masën nga 1 500 000 lekë deri në 1 850 000 lekë;

b) Subjektet e kategorisë II dënohen me gjobë, në masën nga 1 900 000 deri në 2 200 000 lekë;

c) Subjektet e kategorisë III dënohen me gjobë, në masën nga 2 400 000 deri në 2 650 000 lekë;

ç) Zhvilluesi/ndërtuesi, sipas lejes së ndërtimit të fshatrave turistikë, dënohet me gjobë, në masën nga 2 400 000 deri në 2 650 000 lekë.

Mosvendosja apo heqja e tabelës, dënohet me gjobë, në masën 100 000 lekë, nga Task-Forca. Masat administrative përbëjnë titull ekzekutiv dhe për ekzekutimin e tyre ngarkohet shërbimi përmbarimor.

Për moszbatimin e detyrimit subjektet nuk marrin certifikatën e përdorimit për objektin ose projektin e ndërtuar apo të zhvilluar. Procedura pas vendosjes së masës administrative

Task-Forca, me vendosjen e masës administrative u lë një afat prej 60 ditësh subjekteve përkatëse për plotësimin e standardeve për trajtimin e ujërave të ndotura, sipas këtij akti normativ.

Kur pas afatit 60 ditor, TaskForca konstaton mosplotësimin e standardeve nga subjektet e dënuara, dënon me gjobë, me vlerë dyfishin e masës së vendosur ndaj subjektit përkatës herën e parë.

Task-Forca, me përfundimin e sezonit turistik, sipas njoftimit nga ministria përgjegjëse për turizmin, i propozon institucioneve përgjegjëse për marrjen e masave për heqjen e licencë, lejes ose autorizimit, për kryerjen e veprimtarisë ekonomike ndaj të gjitha subjekteve, të cilat nuk kanë plotësuar standardet për trajtimin e ujërave të ndotura edhe pas marrjes së masës administrative.

Task-Forca, pas vendosjes së masës administrative ndaj zhvilluesit, i propozon institucioneve përgjegjëse për ndjekjen e procedurës për përjashtimin e zhvilluesit nga e drejta për të marrë leje zhvillimi ose ndërtimi për 5 vjet.

Zhvilluesi, sipas lejes së ndërtimit të fshatrave turistikë apo komplekseve turistike, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij akti normativ, përcjell pranë Task-Forcës planin e masave për plotësimin e standardeve për trajtimin e ujërave të ndotura.

Plani i masave nuk duhet të kalojë afatin 90 ditor, të vendosur në këtë akt normativ, për plotësimin e standardeve për trajtimin e ujërave të ndotura.

Dispozita të fundit

Subjektet që kryejnë veprimtari ekonomike në zonat bregdetare dhe bregun e liqeneve e të lumenjve, brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij akti normativ, duhet të plotësojnë standardet për trajtimin e ujërave të ndotura, sipas këtij akti normativ.

Subjektet që duhet të ndërtojnë impiantin e trajtimit, sipas këtij akti normativ, duhet të pajisen me deklaratë paraprake punimesh, dhe të kryejnë “njoftimin për fillimin e punimeve” pranë Agjencisë Kombëtare të UjësjellësKanalizimeve (AKUK).

/a.d

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com