Gati një muaj pasi u vu në pranga në Stamboll, Turqi, Dritan Rexhepi, i lakuari i “mbreti shqiptar i kokainës”, ka humbur një betejë gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese në Tiranë.
Në këtë gjykatë Rexhepi kërkonte shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Lartë të 27 nëntor 2020, që kishte lënë në fuqi dënimin me 25 vite burg dhënë ndaj tij nga Gjykata për Krimet e Rënda për akuzën e “vrasjes me paramendim”.
Sipas Rexhepit në Gjykatën e Lartë i ishte cënuar e drejta e procesit të rregullt ligjor. Referuar vendimit të zbardhur të Kushtetueses, të siguruar nga A2, shkeljet e pretenduara nga Rexhepaj nuk janë marrë në shqyrtim, pasi ankimi i tij kushtetues individual ishte depozituar përtej afatit kohor 4 mujor të parashikuar në ligj.
Argumentet e Rexhepajt se në kohën e shpalljes së vendimit të Gjykatës së Lartë kishte qenë duke vuajtur një dënim me burg në Ekuador, apo edhe vonesat postare për prokurën e lëshuar në Ekuador për avokatë e rinj në Shqipëri, nuk bindën Mbledhjen e Gjyqtarëve të Kushtetueses, që njëzëri vendosën mos-kalim të çështjes për shqyrtim në seancë plenare.
Kjo është hera e dytë që Rexhepi troket në Kushtetuese kundër dënimit të tij me 25 vite burg. Përmes saj në vitin 2018 ai mundi ta kthejë për rigjykim çështjen në Gjykatën e Lartë.
/a.r