Një tragjedi raportohet se ndodhi në qytetin rus Chelyabinsk, pasi një burrë i veshur si babagjyshi i Vitit të Ri ka rënë nga kati i pestë i një ndërtese duke humbur jetën në vend.
Burri i veshur si babagjyshi (i njohur dhe si babai i Krishtlindjes) kishte qëllim të ngjitej në ballkonin e një godine 5-katëshe me thesin e mbushur me dhurata për të surprizuar një grup fëmijësh.
Por për fat të keq, ai u rrëzua dhe ndërroi jetë në vend.
Shumë nga të pranishmit nuk po e kuptonin situatën në fillim, pasi menduan se rënia mund të ishte pjesë e ndonjë skenari.
Autoritetet sqaruan më pas se rënia ishte shkaktuar nga një keqfunksionim në litarët, ndërsa prokurorët po hetojnë mbi ngjarjen.
Organizatorët e eventit deklaruan se burri u kishte thënë se ishte një alpinist profesionist.