Republika Çeke ka shpallur të shtunën ditë zie kombëtare. Kjo pasi një person i armatosur vrau 15 persona dhe plagosi 25 të tjerë brenda një universiteti në Pragë. Presidenti Petr Pavel shprehu se ishte i trishtuar për humbjen e jetëve.
Autori i armatosur, për të cilin policia tha se ishte “eliminuar”, besohet të ketë vrarë edhe babanë e tij dhe mund të jetë i lidhur me vdekjen e dy personave javën e kaluar.
Kjo konsiderohet një nga ngjarjet masive më të rënda në historinë e fundit evropiane.
Të shtënat me armë filluan rreth orës 15:00 me orën lokale (14:00 GMT) të enjten në ndërtesën e Fakultetit të Arteve të Universitetit Charles në qendër të kryeqytetit çek.
Personi i armatosur hapi zjarr në korridoret dhe klasat e ndërtesës, duke vrarë në mënyrë të rastësishme, ndërsa stafi dhe studentët përdorën mobilje për të mbrojtur veten nga plumbat.
Pamjet dramatike të shpërndara në mediat sociale tregojnë njerëz që rendin nga një parvaz i jashtëm disa kate lart, teksa dëgjohen edhe të shtëna armësh.
Autoritetet thanë se i armatosuri ishte një student 24-vjeçar në universitet dhe nuk kishte precedentë të mëparshëm penalë, megjithëse shton se u gjet një “arsenal i madh armësh e municionesh”.
Para të shtënave, policia kishte marrë një raport se i dyshuari besohej se po shkonte në Pragë nga një qytet aty pranë me qëllimin për të vrarë veten. Pak kohë më vonë, babai i tij u zbulua i vdekur.