INTERVISTË/ Tre libra brenda vitit, përkthyesi Jonis Buzi: Të njohësh gjuhët e huaja është e lehtë. E vështirë është

“Përkthimi është ai që transformon gjithçka në mënyrë që asgjë të mos ndryshojë.” Të tillë e vlerësonte punën me përkthimin romancieri gjerman, Gunter Grass, fitues i Çmimit “Nobel” në vitin 1999. Sa e lehtë mund të duket, aq e vështirë bëhet kur hyn në të. “Arti i dështimit”, do ta cilësonte filozofi Umberto Eko (Umberto Eco). “Përkthimi është ana tjetër e një sixhadeje,” shprehej më tej autori italian Leonardo Shasha (Leonardo Sciascia). Në mes të një subjektivizmi të tillë, mes rrymave dhe mendimeve, e mesmja aristoteliane do të gjykohej si mënyrë ftillimi.

“Në fakt, ka aq mendime sa ka njerëz që thonë se dinë të përkthejnë”, thotë Jonis Buzi, dashamirës i gjuhëve të huaja dhe i apasionuar pas përkthimit. Ai ka sjellë në shqip dy libra të titulluar “Miti i sipërmarrjes” dhe “Ligjet e natyrës njerëzore”, nga shtëpia botuese “Pema” dhe ka përfunduar punën me librin e tretë, “Supertruri”, të Xhim Kuik (Jim Kwik), që pritet së shpejti të jetë në duart e lexuesve.

Vlerësimet që ka marrë për punën e kryer deri tani, e kanë motivuar jo vetëm që të mos ndalet, por edhe që të këmbngulë në parimet që ndjek. “Thjesht shqip. Fjalori po se po, por edhe sintaksa, e cila po shkatërrohet me të njëjtin “përkushtim” si dhe fjalori”, ishte komenti i prof. Mehmet Elezit, gjuhëtar i njohur, leksikograf, publicist e përkthyes, për librin “Ligjet e natyrës njerëzore”, duke shtuar më tej se “nëse të gjithë përkthyesit do të tregonin një kujdes të tillë, nuk do të kishim përkthyes, do të kishim shqipërues”. “Ai nuk përkthen fjalët, por frymën e veprës”, shkruan sipërmarrësi Ardit Aliaj për librin “Miti i sipërmarrjes”.

Përkthimi ka qenë një pasion fëmijërie, të cilin e ushqeu ndër vite dhe më pas e ktheu në profesion. Studimet në shkenca politike e pajisën me njohuri enciklopedike, që tani ia bëjnë të lehtë punën me librat. Preferon t’iu referohet përkthimeve të një vepre në disa gjuhë të huaja, edhe pse nuk zbulon sesa të tilla i ka tashmë të certifikuara. “Nëse është e vërtetë që “sa gjuhë di, aq herë njeri je”, atëherë mund të them që jam një grup i vogël”, shprehet ai në këtë intervistë për gazetën “Liberale.al”, duke shtuar më tej se është e lehtë të njohësh gjuhët e huaja, por e vështirë të njohësh gjuhën shqipe.

Gjatë vitit 2023 keni sjellë nga anglishtja në shqip dy libra. Si ka qenë rrugëtimi juaj, si e gjetët veten në fushën e përkthimeve? A është një pasion i kthyer në profesion?

Kam mbaruar studimet e nivelit të parë (bachelor) për shkenca politike, pastaj studimet e nivelit të dytë (master) për teori politike me rezultate të shkëlqyera. Studimet më pajisën me dije enciklopedike dhe mendim kritik, që më mundësojnë t’i ndihmoj lexuesit e përkthimeve që të përfitojnë sa më shumë.

Eksperienca ime vijoi me ardhjen në Luksemburg, në vitin 2017, si praktikant i përkthimit në Drejtorinë për Përkthim dhe Interpretim të Parlamentit Evropian, për të vijuar edhe me librat. Krahas kësaj, kam pasur fatin e rrallë të kem mentorë prej të cilëve kam mësuar shumë.

Përkthimin e kam pasur pasion që kur kam qenë fëmijë dhe me kalimin e kohës arrita ta shndërroj në profesion. Për mua, përkthimi është varg vendimesh të mira. Për të marrë vendime të mira, duhet të kesh gjykim të shëndosh kritik, ta vësh veten në vendin e lexuesit, të mos e marrësh për të mirëqenë që “hë se e kupton vetë ai” dhe t’i mundësosh të thellohet më tej nëse ai (jo ti) e sheh të arsyeshme. Detyra ime është ta vë tekstin në shërbim të lexuesit dhe jo anasjelltas siç ndodh rëndomë.

Nuk është punë e lehtë ta kthesh pasionin në profesion, sidomos në një shoqëri ku nuk i përgjigjet emailit që ti i dërgon (qoftë edhe me “jo”). Por gjërat e mira nuk arrihen lehtë, përndryshe do t’i arrinin të gjithë.

Cila është marrëdhënia juaj me gjuhët e huaja dhe a përktheni vetëm nga gjuha angleze?

Nëse është e vërtetë që “sa gjuhë di, aq herë njeri je”, atëherë mund të them që jam një grup i vogël. Në përkthimet e mia, sa herë që mundem, i gjej librat në gjuhë të tjera dhe shoh edhe se çfarë kanë bërë kolegët e huaj. Për shembull, kur përktheva “Ligjet e natyrës njerëzore” të Robert Grinit (Robert Greene) (libër psikologjie për ata që duan të njohin veten), u mbështeta kryesisht te varianti anglisht, por më ndihmuan edhe variantet në gjuhën franceze dhe portugeze. Këto variante më japin një këndvështrim tjetër. Puna ime pastaj është që këtë këndvështrim ta përshtas në gjuhën shqipe për lexuesit që u besojnë përkthimeve të mia. Me raste i jam referuar edhe variantit në gjuhën rumune.

Të njëjtën gjë bëra edhe me “Mitin e sipërmarrjes” (libër për bizneset e vogla), të cilin e pata edhe frëngjisht dhe rumanisht. Pashë çfarë kishin bërë kolegët e huaj. Pastaj vendosa termat më të përshtatshëm për lexuesit shqiptarë.

Të njohësh gjuhët e huaja është gjë e lehtë. E vështirë është të njohësh gjuhën tënde. Pse? Sepse e marrim për të mirëqenë që e njohim dhe nuk e vrasim më mendjen për të mësuar më shumë.

“Miti i sipërmarrjes” i autorit Majkëll E. Gërbër ( Michael E. Gerber) dhe “Ligjet e natyrës njerëzore” i autorit Robert Grin (Robert Greene) janë dy libra mjaft të njohur në botë në fushën e motivimit. Nisur nga përvoja juaj, cili është më i vështirë: përkthimi i librave motivues, apo i atyre letrarë?

Fjala “e vështirë” është mjaft subjektive: të njëjtat gjëra që, për fillestarët, janë të vështira, janë të lehta për ekspertët. Në rastin tim, falë studimeve, kam njohuri të përgjithshme që më shërbejnë për të kuptuar se kur është koha për të pyetur. Askush nuk i di të gjitha, por dallimi midis një profesionisti—këtu e kam fjalën edhe për fushat e tjera—dhe një amatori është se i pari e di kur duhet të pyesë, ndërsa i dyti jo. Ky mendon se i di, por nuk e di që nuk di. I pari e di që nuk di, prandaj është i hapur të mësojë. Të paktën në parim.

Më kanë ofruar disa herë të përkthej libra letrarë, por nuk kam pranuar. Nuk dua të vë emrin tim në një punë që e di që dikush tjetër mund ta bëjë më mirë. Të ashtuquajturit “libra motivues”, kanë natyrë disi akademike, por të përshtatur në gjuhën popullore. Stili është joformal. Gjuha e qartë, e thjeshtë, e drejtpërdrejtë. Përdorimi i gjuhës formale (“ju”) bie ndesh me vetë filozofinë e këtyre librave.

Duke qenë se nuk ka një shkollë të vetme përkthimi, gjithmonë krijohet debat se deri në çfarë faze duhet të shqipërohet një vepër e huaj. Ju çfarë parimesh ndiqni në punën tuaj?

Në fakt, ka aq mendime sa ka njerëz që thonë se dinë të përkthejnë. Këto shqetësime i kemi dëgjuar edhe nga njerëz të tjerë. Nuk jam i vetmi që e përmend. Në fakt, paradoksi është që edhe ata që, në fakt, bëjnë punë të dobët, prapë thonë se janë neveritur nga mënyra se si “përdhoset shqipja”.

Por se kush janë këta, kjo detyrë i takon kritikës, mungesa e të cilës po i dëmton të gjithë, nga autorët e huaj e deri te shitësit e librave të cilëve u mbeten pa shitur librat jo të mirë. Unë ndjek mbi 15 parime, disa prej të cilave po i përmend më poshtë:

Sintaksa. Sa mirë rrjedh fjalia pasi e përkthej? A do ta thoshte gjyshi ose gjyshja ime këtë fjali në këtë mënyrë? Këtu po flas për strukturën e fjalisë, jo termat.

Për shembull, nuk është e natyrshme të thuash: “Unë jam një përkthyes”. Gjyshi nuk do të thoshte “një”, prandaj e shmang. Është edhe më keq nëse “një”-ja është në titull të librit.

Qartësia. A ka ndonjë mënyrë që, nëse lexuesi e lexon ndryshe fjalinë, mund të dalë tjetër kuptim? A ka ndonjë fjalë që ka humbje në përkthim?

Për shembull, kur përktheva librin “Supertruri” të Xhim Kuikut (libër që të mëson si të mësosh), fjalën “recognize” e përktheva “njoh”, por vura një shënim për të thënë se bëhet fjalë për aftësinë e njeriut për të kuptuar që e ka parë ose dëgjuar diçka më përpara. Është fjala për kujtesën pasive, jo atë aktive. Nëse do ta përktheja thjesht “njoh”, lexuesi nuk do të ndalej për t’u thelluar më shumë. Kështu ai nuk do të mësonte njërin prej mësimeve kryesore të librit: dallimin midis kujtesës aktive dhe pasive.

Te “Miti i sipërmarrjes”, emrin “Elisabeth” e shqipërova “Teuta” meqë të dy janë emra mbretëreshash dhe, në përgjithësi, përcjellin idenë e një gruaje ca më të madhe në moshë sesa një grua me emrin Sara, që është personazhi kryesor i librit dhe që bisedon me autorin. Edhe emrat e tjerë të zakonshëm të anglishtes i ndërrova me emra të zakonshëm të shqipes. Këta emra nuk janë emra konkretë, por emra të tipit “Filan Fisteku” që kemi ne në shqip.

-Lakimi i emrave të huaj. Emrat e huaj duhen lakuar për hir të gramatikës, por edhe për ta bërë lexim të këndshëm. Por, për ata që duan të thellohen, emrat e origjinalit i shënoj në një shtojcë në fund të librit. Me sa di, jam i pari dhe i vetmi që i kam dhënë zgjidhje këtij problemi të raportit midis gramatikës dhe emrave të huaj.

Ndër parime të tjera janë: mënjanimi i përemrave pronorë dhe vetorë, mospërdorimi i formës “ju”, shmangia e zbukurimeve të tepruara letrare, ndjekja e traditës së përkthimit të emrave etj.

Me sa di, jam ndër të paktët përkthyes, në mos i vetmi, që respektoj etikën e shkrimit akademik. Për shembull, kur autori Xhim Kuik, në librin e tij “Supertruri”, citon librin “Shprehitë atomike” të Xhejms Klliërit (James Clear) në gjuhën angleze, unë i referohem përkthimit shqip. Kështu lexuesit hasin të njëjtat terma edhe te përkthimi im.

Ata që duan të dinë më shumë, mund të shohin postimet e mia në internet për çdo libër që kam përkthyer. Aty tregoj se çfarë kam bërë nga ana gjuhësore.

A keni ju disa vepra, autorë, ose përkthyes, që gjykoni se kanë ardhur në mënyrën më të mirë në gjuhën shqipe? Si e gjykoni nivelin e përkthimeve ndër viteve?

Për fat të keq, nuk e kemi të zhvilluar institucionit e kritikës. Do t’u takonte kritikëve të përgjigjeshin.

Librat më të mirë mbeten ata të letërsisë dhe filozofisë. Jorgji Doksani, Pavli Qesku, Namik Kasaruho, Vedat Kokona, prof. Edmond Tupja, Fan Noli, Urim Nerguti etj. Këta janë profesionistë, prej të cilëve kam mësuar shumë. Edhe pse përkthimet e tyre janë kryesisht letraro-filozofike, ato, gjithsesi, më shërbejnë si mjete gjuhësore të çmuara që mund t’i përdor për zhanrin e librave psikologjikë. Them se, nëse vepra mban emrat e tyre, është e mirë.

Përfitoj nga rasti për të përmendur punën gjigante të Pavli Qeskut, autor i fjalorëve më të mëdhenj anglisht-shqip dhe anasjelltas. Në lidhje me përkthimin audio-viziv, përmend punën e Ines Ekonomit që meriton lavdërim të madh. Brezi im ka mësuar anglisht prej punës së saj të kujdesshme. Është për të ardhur keq që profesionistë të tillë nuk marrin mirënjohjen që kanë fituar me aq përkushtim. Kjo shpërfillje vazhdon edhe sot.

Si pothuaj gjithë përkthyesit e tjerë, as mua nuk më shkruhet emri pothuaj askund. Mospërmendja e emrit të përkthyesit përbën shkelje të së drejtës morale të tij për t’u përmendur. Kam botuar dy libra si përkthyes, por vetëm një portal librarie ma ka përmendur emrin si duhet (deri më sot).

Kur flitet për vlerësime për përkthyesit, njerëzit mendojnë se bëhet fjalë për medalje dhe makina të shtrenjta nga shteti. Mirënjohja nuk ka të bëjë patjetër me shtetin. Për shembull, nuk ka nevojë të ndërhyjë shteti që shitësit të nisin ta shprehin mirënjohjen për përkthyesit e mirë, duke ua përmendur emrat kur shpallin reklamat për librat në internet. Kaq mjafton. Kështu i bëjnë dobi edhe vetes, sepse nuk blejnë libra të dobët që u mbeten pa u shitur. Lexuesit blejnë në bazë të emrit të përkthyesit.

Pavarësisht kësaj panorame disi të zymtë ku vetë shoqëria në përgjithësi nuk vlerëson askënd duke mos ia përmendur as emrin, detyra ime morale dhe profesionale është të bëj maksimumin që t’ua shpërblej besimin lexuesve dhe botuesit që m’i ka besuar këto vepra të çmuara që të ndryshojnë jetën.

Lajmi i mirë është që lexuesit po zgjohen. Ata e dinë që librat në origjinal janë të mirë (botuesit zgjedhin libra që janë shumë të suksesshëm në perëndim). Dallimin e bën vetëm përkthyesi.

Cilat janë projektet tuaja të ardhshme, ndonjë libër apo autor që do të jetë së shpejti në dorën e lexuesve?

Shpresoj të dalë së afërmi libri “Supertruri” i autorit Xhim Kuik (Jim Kwik). Për lexuesit dhe lexueset e interesuara, titulli i librit në gjuhën angleze është “Limitless”. Libri flet për neuroshkencën. Trajton si duhet të kujdesemi për trurin me qëllim që të jemi të motivuar, energjikë dhe të pajisur me mendësinë e duhur. Ata që e kanë lexuar librin “Shprehitë atomike” të Xhejms Klliërit (James Clear), them se do ta pëlqejnë këtë libër. Thelbi i librit është “Si të mësojmë?” Pra është libër shumë i rëndësishëm. Nëse nuk di si të mësosh dhe si të mbash mend më shumë, nuk ke si përmirëson jetën.

Është libër për të cilin kam marrë lëvdata nga redaktorja për sjelljen shumë të natyrshme në gjuhën shqipe të një libri që paraqet vështirësi nga vetë natyra e tij. Ata që e kanë lexuar anglisht, mund ta vërejnë nivelin e punës. Lexuesit do të gjejnë shënimet e mia në libër. Punova fort që lexuesit të mos mundohen. Në veçanti, m’u desh të merrja rolin e autorit te pjesa e librit ku flitet për teknikat e të mësuarit të fjalëve të gjuhëve të huaja (kam vënë shënim për lexuesin).

Se sa libra botohen nën emrin tim dhe me miratimin tim, kjo pak rëndësi ka. Ajo që ka rëndësi është që lexuesit dhe lexueset të marrin në dorë libra që përligjin kohën dhe investimin e tyre.

Në fund, dua të shtoj që shitësit rrallë herë e përmendin emrin e përkthyesit, edhe pse përkthimi i mirë nënkupton më shumë shitje librash. Pra kush përkthen mirë, vë në lëvizje ekonominë (shtypshkronjën, prodhuesit e letrës, bojës, transportuesit, shpërndarësit etj.).

U jam mirënjohës kolegëve përkthyes të mrekullueshëm prej të cilëve mësoj, botuesit dhe lexuesve për besimin, redaktorëve për fjalët e ngrohta, familjes për mirëkuptimin dhe njerëzve të tjerë që kanë besim tek unë./Luiza Pinderi-Liberale.al

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com