Marrë nga gazeta “Koha Jonë” e datës 20 dhjetor 1998, Përgatiti për Liberale.al, Laert Miraku
Çfarë propozojnë titullarët për të frenuar mashtrimet skandaloze në banka?
Dolores Velaj, Kryeprokurore e Tiranës
“Në bankat e Tiranës urgjentisht duhet të nisë një kontroll gjeneral. Tërë këto dosje që kemi ne në duar nuk tregojnë gjë tjetër, veçse shkelje të procedurave dhe rregullave”. Dolores Velaj kryeprokurorja e Tiranës, teksa i kanë rënë në dorë tre materialet denoncuese ka dhënë dje në mesditë alarmin. Sipas saj, edhe vetë këto institucione por edhe organizma të tjera të shtetit, duhet të ndërhyjnë për të rrëmuar në arkivat e institucioneve monetare. Madje, Velaj shkon edhe më tej kur paraqet vetë disa nga propozimet e saj për të shmangur mashtrimin, falsifikimin por edhe vjedhjen në sportel. Sipas saj, duhet të vendoset rregull që çdo person që tërheq paratë në sportel, duhet të fotografohet, bile edhe t’i merren gjurmët e gishtave. Në këtë mënyrë edhe pse ai mund të ketë kryer veprime të paligjshme, kjo ësh- të një mundësi më shumë për të identifikuar. Bile Velaj shprehet se do të ishte akoma më mirë edhe sikur veprimi i tërheqjes së parave të filmohej. Ndërkohë, tjetër propozim për të ësh- të edhe zhdukja njëherë e përgjithmonë si procedurë e pranimit të certifikatave si dokument identifikimi. “Në asnjë mënyrë, klienti nuk duhet të tërheqë paratë nga banka” – thotë ajo. Pasaporta dhe një sërë dokumentesh të tjera, duhet të jenë primare për tu bërë pronar i parave të depozituara.
Spiro Brumbulli, Drejtor i Bankës Kombëtare Tregëtare
“Skandalet e mashtrimeve në BKT, janë nderi ynë që i zbuluam”. Drejtori i BKT-së Spiro Brumbulli, tregohet tepër entuziast për këtë. Sipas tij, edhe në këtë momentet kur është duke u përgatitur privatizimi, përsëri puna nuk është lëshuar. Madje, ajo është shtuar në drejtim të kërkesës së llogarisë. Ndërkohë, përsa i përket fotografive dhe filmimeve, Brumbulli shpjegon se duhet një fond krejt i veçantë për to. “Duhet një investim nga ana e Këshillit të Ministrave në këtë drejtim” thotë ai. Ndërkohë, si të vetmet rrugë për të shmangur mashtrimet dhe falsifikimet në banka, Drejtori shpreh vetëm kontrollin e imtësishëm. Madje, sipas tij edhe për sa i përket pranimit apo jo të certifikatave, për të duhet të ndihmojë Ministria e Brendshme me zëvendësimin e tyre në pasaportën time.