Gjykata Speciale në Hagë ka marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit për ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin, Kadri Veseli.
Vendimi është marrë nga gjykatësi Charles L.Smith, i cili ka arritur në përfundim se është i pamjaftueshëm argumenti i Prokurorisë se Thaçi dhe Veseli ‘mund të arratisen nga drejtësia’ nëse lihen të mbrohen në liri, por që ata mund ta pengojnë mbarëvajtjen e procedurave.
‘Ekziston një rrezik i madh që z. Thaçi të pengojë mbarëvajtjen e procedurave të DHS’ dhe ai mund të kryejë ‘krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët që kanë ofruar ose mund të ofrojnë prova’, thuhet ndër tjerash në vendim.
Edhe në vendimin për Veselin, thuhet se ‘paneli është i bindur se ekziston rrezik se z. Veseli do të pengonte mbarëvajtjen e procedurave të DHS dhe se do të kryente krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët që kanë ofruar ose mund të ofrojnë prova në këtë rast dhe/ose duhet të paraqiten’.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Kransiqi po mbahen në paraburgim nga nëntori i vitit 2020. Aktakuza ndaj tyre lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020 ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm.