Kardinali i Vatikanit thotë se është i pafajshëm ndaj akuzave për përvetësim dhe mashtrim

Kardinali Angelo Becciu, zyrtari më i lartë i Kishës Katolike Romake i gjykuar ndonjëherë nga një gjykatë penale e Vatikanit, deklaroi të hënën se është i pafajshëm, në komentet e tij të para publike që kur u shpall fajtor për përvetësim dhe mashtrim.

“Dua ta them me zë të lartë para gjithë botës se jam i pafajshëm, se absolutisht nuk i kam kryer këto krime për të cilat akuzohem”, tha 75-vjeçari në një intervistë për televizionin publik italian RAI.

Kardinali Becciu tha se shpresonte që Papa Françesku ta besonte.

Të shtunën, gjyqtarët e Vatikanit e dënuan atë me 5-1/2 vjet burg, por kardinali i cili tha përmes avokatëve të tij se do ta kundërshtonte vendimin, nuk pritet të shkojë në burg në pritje të procedurave të apelit.

Nëntë persona të tjerë u gjykuan përveç kardinalit italian në një çështje të paprecedentë për Vatikanin. Të gjithë u shpallën fajtorë, të paktën për disa akuza, me përjashtim të ish-sekretarit së tij, akuzat ndaj të cilit u rrëzuan.

Gjyqi përqendrohej kryesisht tek një marrëveshje e dështuar për pasuri të patundshme në qendër të Londrës, nga e cila Vatikani pati një humbje prej rreth 140 milionë eurosh.

Kardinali Becciu u dënua gjithashtu në lidhje me pagesat e bëra për disa kompani ose organizata bamirëse të kontrolluara nga vëllezërit e tij dhe pagesat për një person të vetëdeklaruar si konsulent sigurie, i cili dyshohet se shpenzoi pjesën më të madhe të fondeve për artikuj luksozë dhe vizita në qendra masazhesh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com