“Gruaja me kimono të bardhë” nga autorja Ana Johns, është një roman marramendës, i frymëzuar nga ngjarje të vërteta. Historia e dy grave që jetojnë në dy anët e Paqësorit dhe e një sekreti që i lidh ato.
Japoni, 1957. Martesa me mblesëri e shtatëmbëdhjetëvjeçares Naoko Nakamura, që do t’i kishte dhënë një pozitë të privilegjuar familjare në shoqërinë tradicionale japoneze, duket e pamundur.
Vajza ka rënë në dashuri me një ushtarak të ri të marinës amerikane. Në një Japoni të lidhur fort me traditat dhe ku martesat mes racave të ndryshme shihen shtrembër, në një Japoni të Pasluftës kur amerikanët janë fitimtarë dhe japonezët humbës, Naokoja shtatzënë ka vetëm një fat: atë e përzënë me turp nga shtëpia. Çfarë ndodh më pas, është gati e paimagjinueshme për një vajzë, por sidomos për një nënë… Shtetet e Bashkuara, kohët moderne.
Gazetarja investiguese Tori Kovaçi gjen një letër, e cila vë në pikëpyetje gjithçka që ajo dinte për familjen e saj. Lajmet që merr vesh nga i ati në shtratin e tij të vdekjes, papritur ia kthejnë jetën përmbys. Ajo niset në një udhëtim të gjatë për të zbuluar të vërtetën. “Gruaja me kimono të bardhë” është një portret prekës i dy grave: njëra e ndarë mes traditës e zemrës dhe tjetra që kërkon një përgjigje për pyetjen se çfarë është në të vërtetë familja.
Pak nga jeta e autores
Ana Johns është një noveliste amerikane fituese e çmimeve, bestseller ndërkombëtar. Fiksioni i saj i parë historik, GRUAJA ME KIMONO TË BARDHË, botuar me vlerësime kritike në mbi 25 gjuhë, ka qenë një bestseller dhe një përzgjedhje e Natës Botërore të Librit të Agjencisë së Leximit 2023. Kur nuk shkruan, do ta gjeni duke lundruar në bregun e bukur të liqenit Michigan ose duke u kujdesur për Monarch Waystation dhe Habitatin e vogël Wildlife.
Autori: Ana Johns
Kategoria: Botime për të rritur, Letërsi e huaj
Shtëpia botuese: Dituria
Përkthyes: Afërdita Shuteriqi
Viti i Botimit: 2023
Numri i faqeve: 400
Çmimi: 1250 lekë
Liberale.al/ Përgatiti A: Mënalla