Sadik Bejko mbi librin “Apostulli” të Ilir Ikonomit, botim i UET PRESS

Sadik Bejko

Libri “Apostulli” i Ilir Konomit ka në qendër figurën e Fan Nolit, ndryshimet dramatike që merr jeta e tij nga gazetar i varfër e i pangrënë i gazetës “Kombi” deri te më i larti udhëheqës politik dhe shpirtëror i këtij emigracioni. Noli i këtij libri, një i talentuar e i ditur, letrar e kishëtar, ekspert i sferave të larta politike e diplomatike, qytetar i botës e njëherësh kalorës i Krishtit dhe kalorës i Skënderbeut, me jetën private të ashpër si të murgut e të ushtarit, vjen me një llavë vullkanore energjish, ambicjesh, pasionesh që e mbajnë në lartësinë e synimeve, e detyrave që i ka vënë vetes.

Libri sa histori e farkëtimit dhe e rritjes së figurës së Nolit, duke sjellë tablo të jetës së emigracionit në kolonitë shqiptare në Amerikë në 20 vitet e para të shekullit XX, në veçanti zhvillimet në jetën politike e kulturore të federatës “Vatra”, e të gazetës Dielli, sjell evoluimin e ndërgjegjes politike e atdhetare të këtij formacioni, pjekurinë e aksioneve atdhetare që e bënë “Vatrën” të luajë rolin e një qeverie shqiptare në mërgim në vitet 1916-20. Aty u farkëtuan një grusht atdhetarësh idealistë që më pas vijuan jetën politike në atdhe. Balli i gjithë këtyre punëve ishte Noli.

Në këtë libër sheh qartë se ç’ ashpërsi e ç’ mizori i duhet të kalojë një njeri me ndërgjegje apostulli, ashpërsi e mizori që çdo shoqëri me jetë politike në formim e sipër i ka me tepëri, që i burojnë prej të tjerëve nga jashtë, por i shpërthejnë keqas dhe nga brenda vetes. Figura atdhetare të mëdha, por prej egoizmit, vanitetit bëjnë gabime… të vogla e të mëdha.

Përshkrimi i gjallë i situatave të jetës politike të një vendi buzë greminës, të një Shqipërie pa shtet, të pushtuar e të copëtuar, të djegur e të masakruar gjithandej, me traktate të fshehta që e asgjësonin… e bëjnë këtë libër të lexueshëm si një vepër narrative ngarkuar me ankth e dramacitet në rritje.

Për dikë si unë, që kam qenë i shtyrë në leximet mbi Nolin – njeri i librave, si diturak i prozës historike, si autor i poezive dhe i përkthimeve unike, i publicistikës… me leximin e këtij libri me shumë informacion, me referenca të pasura, m’u bë i qartë dhe ai Noli tjetër “që nuk është më”: apostullimi i tij në jetën politike fetare atdhetare nëpër kohë. Nëse veprat letrare “janë”; i prekim, i lexojmë, udha nëpër të cilën shkoi veprimi i tij prej “apostulli” nuk është më, e ka rrëmbyer koha në pakthim. Gjurmët janë në arkiva prej nga ky Nol “i humbur” duhet nxjerrë e ringjallur. Këtë punë mbresëlënëse ka bërë me shumë talent e këmbëngulje I.Konomi. Mbeta shumë i emocionuar nga leximi i tij. I uroj autorit sukses dhe energji në plotësimin e kësaj pune edhe me dy volume të tjerë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com