Albi Xhunga
Revolucioni i premtuar u katandis në mosbindje civile. Gazmend Robespieri nuk i bindet Lindita Nikollës. Mosbindja civile u katandis në një protestë me disa dhjetëra njerëz. Zoti i shesheve u katandis në dikë që shikon ëndrra me sy hapur dhe i tregon përpara kamerave me zë të lartë. Demokratët e Mamurrasit, me të cilët kërcënonte me shumë efikasitet socialistët dikur, kanë ikur në Gjermani. Opozitarët i gënjeu, duke përfituar nga dëshpërimi që kishte krijuar humbja e zgjedhjeve, se fajin e kishte Basha dhe se tani që u kthye Ai, opozita reale, marrja e pushtetit ishte çështje muajsh. Rezultatet nuk vonuan. Opozita e shitur e Bashës ishte 30 mijë vota larg pushtetit. ‘’Opozita reale’’ mavijosi të gjithë Shqipërinë.
Fundin e atij revolucioni që ekzistonte vetëm në kokën e tij e paralajmëroi braktisja e kuksianëve, pasi ishin humbur bastionet më të forta të demokratëve, Shkodra, Tropoja, Kamza, etj. Braktisja në ditën e votimit ia la vendin braktisjes fizike. Kur e vunë nën akuzë për korrupsion, thirri mbështetësit të mblidheshin në selinë që i ka grabitur PD-së. Përgjigjia ishte shkretëtirë. Nuk mund të kishte fat tjetër ai revolucion, i cili na servirej pa na thënë se si do të ishte ‘’bota e re’’. Do të ishte me SPAK, apo pa SKAP? Me SHBA, apo pa SHBA?
Mungesa ulëritëse e sinqeritetit arriti kulmin me protestën e djeshme (18 dhjetor). Megjithëse pretendon se po i burgosin familjarët me urdhër politik, megjithëse pretendon se po i marrin pasurinë e ndershme me urdhër politik, megjithëse pretendon se po i heqin lirinë me urdhër politik, Sali Berisha na thoshte se sot kishte thirrur një protestë për të mbrojtur të drejtat kushtetuese të opozitës. Cila është ajo opozitë që merakoset për komisione parlamentare, kur lideri i saj dhe familja e tij po burgosen e shpronësohen me urdhër politik? A nuk do të ishte më e ndershme dhe më realiste të thoshin se po protestojnë për lirinë e liderit? A nuk do të ishte më e ndershme dhe më realiste që Argita Malltezi të thoshte se po protestonte për pasurinë e saj të ligjshme? (goxha pasuri m,q,s ra fjala). Kaq tutkunë i dinë opozitarët? Kaq budallenj i dinë shqiptarët?
Opozitarizëm me fotografi
Opozitarizmi Berisha-Bardhi ra që kur ambasada e SHBA reagoi ndaj unifikimit të gazrave të Lulit me babain e Zenit (çfarë kanë thënë për njëri tjetrin). Fotografia e 500mijë votave opozitare dhe fotografia e 45 deputetëve të unifikuar na tunden sot e gjithë ditën, ndërkohë që votat kanë fluturuar, ndërsa mbledhjet e mëpasme treguan firo të ndjeshme të unifikimit. Përveç Partisë Demokratike, sot pjesë e këtij grupimi nuk janë as forcat e tjera opozitare, Duka, Shehi, Mediu, Idrizi, etj. Tymi në Kuvendin e Shqipërisë përdoret për të na penguar të shohim se, nuk po proteston opozita në kuvend, po proteston një pjesë margjinale e saj, berishizmi dhe disa deputetë pa parti të grupit Bardhi.
Kjo ka sfumuar dhe atë që do duhej të ishte një kërkesë legjitime e opozitës, krijimin e komisioneve hetimore parlamentare. Faktori ndërkombëtar, i cili ishte determinant për krijimin e komisionit të inceneratorëve, hesht. Krijimi i komisioneve hetimore do duhej të shërbente për dy qëllime; transparencë dhe ndihmë drejtësisë. Po si mund të përkrahet krijimi i komisioneve parlamentare kur kjo kërkesë synon qartazi të faktorizojë non gratta-n në Kuvendin e Shqipërisë? Si mund të ndihmohet transparenca dhe drejtësia kur, disa të korruptuar nga mazhoranca vijnë e japin llogari përpara të korruptuarit non gratta nga opozita? A mund të ketë maskaradë më të madhe të shohësh se të korruptuarit japin llogari te njëri-tjetri? Që të ketë komisione parlamentare efikase do të duhej të qartësohen më parë ujërat në opozitë. Non gratta dhe deputetët pa parti nuk janë OPOZITA, edhe pse janë opozitarë. Këtu duhet thënë se ata përfitojnë edhe nga kompleksi i Partisë Demokratike, e cila nuk del të deklarojë publikisht se këto komisione nuk do t’i shërbenin drejtësisë e transparencës nëse ato do të dominohen nga non gratta.
Realiteti virtual
Dikur, një burrë ishte mbyllur në një bunker të Berlinit. As kur qyteti ishte shkatërruar e tullat po iu binin kokës nuk guxonte kush t’i thoshte se lufta ishte humbur. E megjithatë lufta ishte humbur.
Vetëm një luftë nuk ka për të humbur Ai. Luftën e ekraneve. Oligarkisë i intereson që ai të mbijetojë, Ramës i intereson që ai të mbijetojë. Dominimi i studiove prime time do të vazhdojë. Madje do të vazhdojë edhe kur të gjithë të jenë të bindur se ai nuk mbijeton dot më. Do të vazhdojë, sepse shqiptarët do të kenë gjithmonë nevojë për humor. Lideri historik i së djathtës sipas disave, uzurpuesi dhe vrasësi i së djathtës së vërtetë sipas disa të tjerëve, do të reduktohet në një personazh barsoletash…
PS; Po Ilir Meta ku është ???