Kërkesa e SPAK/ Iljazaj: Shanset e vetme që ka Sali Berisha për t’u mbrojtur

Politologu Ervis Iljazaj, njëkohësisht drejtori i Institutit Liberal “Pashko”, është shprehur se e vetmja gjë që duhet të bëjnë avokatët e ish-kryeministrit Sali Berisha, është që të argumentojnë se ndaj tij ka një ‘përndjekje politike’.

Komentet Iljazaj i bëri në emisionin “Now me Erla Mëhillin” në Euronews Albania, ku shpjegoi se zakonisht imuniteti ekziston dhe ka ekzistuar që një deputet të mos ketë përndjekje politike.

Ai tha se Berisha dhe avokatët e tij nuk e kanë bërë këtë deri tani. Komentet e tij vijnë pas miratimit në Këshillin e Mandateve të kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit për arrestimin e Berishës.

“Protesta është e rëndësishme, edhe pjesëmarrja. Berisha kishte dalë për të demonstruar forcë. Edhe mirë ka bërë. Unë mendoj këtë gjë, zakonisht imuniteti ekziston dhe ka ekzistuar që një deputet të mos ketë përndjekje politike. Të vetmen gjë që duhet të bëjnë avokatët e deputetëve është që të demonstrojnë që Berisha ka një përndjekje politike.

Avokatët këtë gjë nuk e kanë bërë, ose e kanë bërë shumë pak. Nuk është se kanë demonstruar ndodnjë fakt domethënës që ka një përndjekje politike. Përndjekjen politike duhet ta demonstrosh. Berisha thotë se ky është SKAPI i partisë dhe veç kësaj nuk ka ndonjë fakt për përndjekje politike.

SPAK është një institucion i ri dhe çdokujt do i vij ora. Mendimi im personal është që Berisha mund të hetohej edhe i lirë. Berisha ka më shumë argumenta juridik sesa politik dhe nuk e kuptoj pse mbrohet politikisht”, tha Iljazaj.

Por ish-deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu ka debatuar me tone të ashpra teksa ishte i ftuar në të njëjtën studio me gazetarin Ervis Iljazaj. Ai tha se nuk mund të thuhet se nuk ka asnjë argument që Sali Berisha po përndiqet politikisht ndërkohë që kryeministri Rama, ka shkelur kushtetutën.

Balliu ju kundërpërgjigj se problemi më i madh është se në vend që tgë merren me atë që shkel ligjin dhe kushtetutën, merren me atë që sulmohet.

Nga ana tjetër Iljazaj tha se nuk mund të quhet përndjekje politike për sa kohë nuk ka fakte që SPAK e ka kërkuar arrestimin e Berishës me urdhër të Ramës, ndërsa theksoi që ai vetë do kishte dashur që ish-kryeministri Berisha të kërkonte të drejtën e tij në gjykatë dhe jo me protesta.

Pjesë nga biseda në studio:

Klevis Balliu: Tjetër gjë është kur je te gazeta dhe tjetër kur je në studio. Ti këtu duhet të marrësh përsipër që ato që thua të jenë të vërteta. Ti the se nuk ka asnjë argument për përndjekje politike. Nuk është shkelur ndonjë procedurë the, këtu është shkelur Kushtetuta!

Ervis Iljazaj: Unë thashë që avokatët e zotit Berisha nuk dhanë ndonjë fakt për përndjekje politike, por u futën në themel të çështjes.

Klevis Balliu: Po patjetër përndjekje politike është kur qeveria të shkel Kushtetutën.

Ervis Iljazaj: Edhe një herë të lutem. Përndjekje politike që të kuptosh konceptin, është kur… Se je më i vogël se mua në moshë dhe në karrierë.

Klevis Balliu: Nuk është çështje moshe kjo!

Ervis Iljazaj: Përndjekje politike, është kur i bëhet presion Rama-SPAK-ut që të hetojë Berishën.

Klevis Balliu: Po ça po flet? A ke problem ti me atë që ndodhi aty?

Ervis Iljazaj: Po unë kam problem. Unë kam këtë problem. Unë nuk mendoj se një lider i rëndësishëm si Sali berisha, ish-president, ish-kryeministër të bëjë protesta politike në momentin që diskutohet për statusin e tij politik. Unë pretendoj dhe ky është problemi im që një lider i tillë ta bëjë betejën e tij në gjykatë.

Klevis Balliu: Ti ke probleme me atë që është sulmuar dhe nuk ke me sulmuesin. Ju nuk keni asnjë problem me ata që shkelin ligjin dhe ju marrin lekët, por ju keni probleme me atë që sulmohet.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com