“Ku fshihen ‘paratë e porositësve’ të vrasjes në Peqin?”, Karamuço: Ja ku gaboi policia

Eksperti i Kriminalistikës, Ervin Karamuço, thotë se Policia e Shtetit gaboi që kreu menjëherë kontrolle në shtëpinë e familjarëve të Sokol Mjacajt, autorit të vrasjes së Arben Lleshit në burgun e Peqinit.

Sipas tij, banesa e familjarëve të Mjacajt duhej mbajtur në vëzhgim, që të shikohej se kush hynte e dilte aty dhe më vonë mund të zhvillohej një kontroll. Kjo pasi sipas tij, edhe nëse supozohet se vrasja është kryer me pagesë, paratë e porositësve tani pas kontrolleve të Policisë do të ndryshojnë destinacion, pra nuk do të dorëzohen në banesën e familjarëve të Mjacajt.

“Nëse ndodh një ngjarje në një burg, nuk lajmërohet Policia e Shtetit. Sepse drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka Polici bugjesh. Pra ti merr të gjitha masat për izolimin e personit, neutralizimin e të tjerëve çfarë mund të ketë e me radhë dhe njofton drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Prokurorinë kur ka ngjarje.

Nëse personat cënojnë sigurinë e burgut apo janë duke u larguar, atëherë njoftohet Policia e Shtetit. Policia e Shtetit mendoj se është treguar e nxituar, sepse ka shkuar menjëherë në shtëpinë e personit në Prekal me idenë që aty mund të ishin çuar paratë.

Pra jemi në pistën e vrasjes me pagesë dhe personat që mund ta kenë porositur këtë vrasje, do e kishin çuar çantën në shtëpi. Ata nuk duhet të kishin shkuar menjëherë, por shtëpia mbahet në vëzhdim, ti duhet të shikosh kë kontaktojnë familjarët, t’i mbash në përgjim, kush shkon atje, etj. Pra tani edhe nëse kanë për të çuar diçka në para, do të ndryshojnë destinacion”, tha Karamuço për “Review” në Euronews Albania.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com