Vetoja greke – ushqim për populistët evropianë

Blendi Lami

  1. Vetoja

Greqia vuri veten për progresin e Shqipërisë për shkak të çështjes së kryetarit të zgjedhur të bashkisë së Himarës. Sipas Greqisë, thelbi i çështjes – betimi i Belerit – ka të bëjë me një vendim politik-administrativ; sipas Shqipërisë, ka të bëjë me pavarësinë e gjyqësorit. Kjo përplasje shtetërore degradoi edhe në betejë luftë egosh personale.

Krijohet një çorbë tipike ballkanike ku personazhe bëhen dy oportunistë. Nga njëra anë, Micotaqisi shënon fitore tek elektorati grek: vihet në mbrojtje të Belerit dhe sfidon homologun shqiptar – por duke kushtëzuar Shqipërinë në rrugën e integrimit. Kryeministri grek e nis duelin me doza kërcënimi dhe superioriteti: “Athina nuk do të mbështesë integrimin e Shqipërisë derisa të zgjidhet çështja e Belerit”. Nga ana tjetër, Rama shpalos oportunizmin e vet në formën e një kokteji ku përbërësit janë moskokëçarja dhe nacionalizmi. Ai vijon duelin me tone disi kalorësiake: “Po na bllokuat, kthehem krenar nga Brukseli”.

Në fakt, oportunizmi shfrytëzohet shpesh nga politikanët. Por në rastin e Mitsotakisit ka një paradoks: Micotaqisi erdhi në pushtet me një formulë për të sfiduar populistët e Syriza-s dhe jo për t’u dhënë ushqim (lexo: për të intensifikuar frikën nga zgjerimi) populistëve të Evropës. Madje, Micotaqisi nisi të japë leksione për mënyrën e goditjes së populistëve anti-establishment në nivel evropian (p.sh. në një intervistë në CNN, ai deklaroi: “Fitorja mbi populizmin në Greqi shërben si mësim për demokracitë e tjera liberale”).

Këtë sjellje të Greqisë zyrtare e zbardh edhe një përfaqësues i Syriza-s që thotë: “. . . në vend të një strategjie të strukturuar në Ballkan, Greqia promovon politikën e Mitsotakisit, e cila u jep përparësi interesave të tij mikropolitike”. Për ta përforcuar këtë ide dhe për të ilustruar formatin e politikës së jashtme greke, në një shkrim në Tirana Observatory – në kohën e fitores së Demokracisë së Re – studiuesi B. Feta thotë: “Nëse Greqia i është rikthyer normalitetit me fitoren e Demokracisë së Re . . . , normaliteti i ri në njëfarë mënyre mund të jetë shumë i ngjashëm me të vjetrin.”

  1. Radiografi e shkurtër populizmit evropian

Politika e zgjerimit të BE-së dhe populizimi janë të ndërlidhur. Kjo marrëdhënie është komplekse dhe ndryshon nga njëri vend në tjetrin. Mbi të gjitha duhet theksuar se populistët evropianë e kanë kritikuar vazhdimisht politikën e zgjerimit.

Një erë e re po fryn në BE.

Në Holandë, ekstremisti Geert Wilders fitoi zgjedhjet e fundit dhe po përpiqet të formojë qeverinë. Kryeministri hungarez i linjës së ashpër Viktor Orban nuk i rakordon politikat me BE-në dhe minon vazhdimisht interesat gjeopolitike të Perëndimit. Në Sllovaki, kryeministri populist Robert Fico e distancon veten nga rregullat evropiane. Në Gjermani, “Alternative für Deutschland” fitoi përqindje të konsiderueshme në zgjedhjet e fundit dhe shkaktoi alarm në një vend që përndiqet nga historia e fondamentalizmit të krahut të djathtë. Në Francë, nacionalistja Marine Le Pen mund të jetë një forcë e vërtetë në zgjedhjet presidenciale të 2027. Këta populistë e kanë deklaruar haptas kundërshtimin ndaj procesit të zgjerimit. Sipas tyre, zgjerimi i Unionit zbeh identitetin kombëtar, rrit nivelin e emigracionit, shton problemet ekonomike dhe shkakton shumë probleme të tjera. Prandaj, liderët populistë, të tanishëm dhe të ardhshëm, mund të shfrytëzojnë këto sentimente nacionaliste për të fituar mbështetje në popull, për të penguar “dorëzimin” e sovranitetit në Bruksel dhe – për pasojë – të ndalojnë procesin e zgjerimit.

  1. Sigurizimi dhe integrimi evropian

Dy pika kryesore të sigurizimit në BE janë njëherazi dy të kundërta: tendenca për integrim dhe e ashtuquajtura lodhja nga zgjerimi. (Në marrëdhëniet ndërkombëtare, sigurizimi është procesi i transformimit – nga ana e aktorëve shtetërorë – të subjekteve nga çështje të zakonshme politike në çështje themelore të sigurisë; në këtë mënyrë, për tema të caktuara si “lodhja nga zgjerimi” përdoren mjete të jashtëzakonshme në emër të sigurisë.)

Sipas autorëve Buzan dhe Wæver në librin “Regions and Powers: The Structure of International Security”, ligjërimi më i fortë i sigurisë në BE ka qenë argumenti se Evropa duhet të shmangë një rikthim në të kaluarës e saj të karakterizuar nga luftëra dhe konkurrencë për fuqi; prandaj, integrimi – dhe zgjerimi – është parë si domosdoshmëri. Kështu, për Evropën, integrimi konsiderohet shpesh si “varkë shpëtimi”.

Nga ana tjetër, vitet e fundit është shtuar frika se përhapja e populizmit mund ta fragmentojë Evropën. Kjo qasje ofron argumentin e kundërt me të sipërmin: integrimi konsiderohet si kërcënim. Populistët e sotëm po mobilizohen kundër integrimit.

Ballkani – aktualisht Ballkani Perëndimor – është rast tipik për forcimin e këtij ligjërimi. Destabilizimi në Ballkan (përfshirë luftërat e viteve 90) sjellin idenë se lufta në pragun e BE-së është e mundur (e përforcuar sot edhe nga lufta në Ukrainë). Siç përmendet shpesh, Ballkani përndiqet nga fantazmat e së kaluarës.

  1. Momentum

Skenarët e mësipërm krijojnë konflikt mes atyre që synojnë integrimin dhe atyre që e pengojnë atë. Veprimi i Micotaqisit është ushqim i shijshëm për populistët.

BE ka kaluar në faza të ndryshme politike: ka pasur periudha kur BE ka qenë “pozitive” për zgjerimin. Në këto rast është shfrytëzuar momentumi: një lloj përshpejtimi i dinamikave të caktuara që formësojnë – në rastin tonë – sjelljen e shteteve anëtare dhe vetë Bashkimit Evropian. Kuptimi i  këtij momentumi ka të bëjë me identifikimin dhe analizimin e faktorëve që kontribuojnë në këtë përshpejtim të integrimit. Është një koncept dinamik që reflekton natyrën e ndërveprimit mes shteteve në sistem.

Elementë të tillë si nevoja për stabilitet dhe siguri brenda dhe në periferi të BE-së, përfitimet ekonomike, bashkëpunimi rajonal kanë rëndësi, por përparësi sot kanë konsideratat gjeopolitike të tilla si lufta në Ukrainë, konflikti i pazgjidhur Serbi-Kosovë, sjellja e Rusisë ndaj Moldavisë, Gjeorgjisë dhe Armenisë, apo edhe roli i Kinës dhe i Turqisë. Në këtë kontekst, Shqipëria nuk ka kohë për të humbur: oportunizmat Micotaqisit dhe Ramës po e minojnë (ndoshta e minuan) këtë momentum.

Ndërsa zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin Evropian do të zhvillohen vitin tjetër, ka shumë mundësi që zgjerimi të mos jenë në krye të agjendës së BE-së. Prandaj, momentumi që duhet shfrytëzuar, po shpërdorohet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com