Në mbyllje të vitit 2023 artisti i njohur shqiptar me famë ndërkombëtare, Tedi Papavrami, ndodhet prej disa ditësh në Tiranë.
Koncertin e fundit të këtij viti ai e dha më 14 dhjetor për bashkatëdhetarët në Tiranë me një program midis Francës ( Faure, Debusy) dhe Gjërmanisë ( Schuman, Brahms ) që siç e përkufizon Papavrami, janë “dy rryma muzikore dikur rivale por që sot na shprehin shpirtin e thellë të dy kulturave, në një kohë kur ishin më të ndara se sot, me parfumet e tyre kaq të veçantë”.
Papavrami ishte ndër të ftuarit specialë pak kohë më parë në vititën historike të Presidentit të Francës, Emanuel Macron, ku edhe performoi në festën e organizuar me këtë rast nga qeveria shqiptare.
Teksa ndodhet këto ditë në Shqipëri ka four për mediat. Ai mes të tjerash thotë se kurrë nuk e kishte menduar se do të bëhej violinist. Madje, ai tha se në fëmijërinë e tij imagjinonte të bëhej çoban, arkeolog ose shkencëtar.
“Kur isha i vogël, jo (nuk e kisha menduar të bëhesha violinist). Në radhë të parë nuk e imagjinoja kurrë që do flisja një gjuhë tjetër, nga shqipja. Nuk e mendoja kurrë që do ikja nga shtëpia ime. Se ajo që doja më shumë ishte shtëpia në Shqipëri, Tirana, e gjithë bota ime.”
“Dhe e kisha shumë të fuqishme këtë ndjenjë. Madje, prandaj mendoj që nuk e kam harruar shqipen, sepse qoftë nga leximi, qoftë nga dashuria që kisha për të gjithë këtë botë, ishte shumë e fuqishme. Kështu që nuk e mendoja asnjëherë. Kur mendoja çfarë do bëja më vonë, as mendoja që do bëhesha violinist edhe pse bëja koncerte.”
“Nuk e di, më pëlqente, imagjinoja se do bëhesha çoban, arkeolog ose shkencëtar. Domethënë, qoftë natyrat ose shkencat. Njëra ose tjetra”, tha ai.
Historia e Tedi Papavramit është e ndërthurur me ngjarje të rëndësishme. Largimi nga Shqipëria komuniste në moshën 11-vjeçare, bashkë me të atin, mjeshtrin e violinës, Robert Papavrami, ka shënjuar jetën e tij. Një bursë studimi nga qeveria franceze e çoi atë në Paris për të studiuar pranë “Conservatoire National Superieur de Musique”.
I rikthyer në vendlindje për festat e fundvitit ku edhe ka planifikuar shfaqje para publikut kryeqytetas. Tedi Papavrami teksa jetën e ka ndërtuar në Paris e së fundmi në Gjenevë të Zvicrës, ka folur më shumë rreth këtij tranzicioni që ndikoi në jetën dhe formimin e tij kulturor.
“Vitet që kam jetuar në Shqipëri sigurisht janë baza e çdo gjëje sepse aty formohet njeriu psikologjikisht, formohen kujtimet, gjuha. Deri në moshën 11 vjeç unë nuk flisja frëngjisht. Tani sigurisht, kur flas frëngjisht më duket sikur kam lindur në Francë, por në atë kohë nuk ka qenë aspak ashtu”.
“Nuk e mendoja fare se do të flisja frëngjisht ndonjë ditë edhe që do të ikja nga Shqipëria. Ishte jashtë konceptit komplet, sidomos në atë kohë kur kufijtë ishin kaq të mbyllura. As nuk më shkonte në mendje. Kështu që ana shqiptare, me folklorin shqiptar, me muzikën shqiptare, me ngrohtësinë, me traditat, me çdo gjë, mbetën tek unë dhe janë sigurisht gjëja e parë që më formon. Pastaj sigurisht mbërritja në Paris, për të bërë një ndërprerje këtu. Parisi më la një përshtypje shumë të hidhur në fakt, sepse ishte një botë kaq ndryshe në atë kohë”, thotë Papavrami i cili është zhvendosur kohët e fundit në Gjenevë.