Edhe pse në moshë të thyer ajo nuk ka hequr dorë nga aktrimi dhe filmi. Roli i fundit ishte në filmin “Sofia” të Eduart Grishaj.
Aktorja e madhe shqiptare, e cila mban titullin e lartë, Nderi i Kombit, në intervistat e dhëna për media të ndryshme ka deklaruar se është regjistruar rastësisht për të studiuar në shkollën e mesme të Dramës së asaj kohe, por është përjashtuar nga shkolla me motivacionin “shfaqje të prirjeve liberale”. Përballë talentit të rrallë të Tinka Kurtit edhe regjimi komunist do të dorëzohej. Ishte regjisori Andrea Skanjeti ai që ka pikasur talentin e saj të madh për ta rikthyer Tinkën edhe njëherë tjetër në skenë me shfaqjen “Dasëm Shkodrane”.
Tinka Kurti feston sot ditëlindjen e saj. Artistja aq shumë e dashur nga publiku ka lindur në Sarajevë më 17 dhjetor të vitit 1932 dhe mbush sot plot 91 vjeçe. Megjithese origjina e saj është boshnjake, dikur në një intervistë ajo ka thënë se “është aktore e Shkodrës”. Nëna e saj ishte një nga aktoret kryesore të Teatrit Kombëtar të Sarajevës. Familja e saj shpërngulet, kur ishte pesë vjeç, drejt qytetit të Shkodrës. Këtu mbaron arsimin shtatëvjeçar dhe në vitin 1947 niset në Tiranë për të studiuar në Politeknikumin e Tiranës. Rastësisht, siç do të shprehej ajo vetë vite më vonë, do të kalonte në degën e Dramës në Liceun Artistik.
Tinka Kurti u ngjit për herë të parë në skenë kur ishte vetëm 16 vjeç. Në karrierën e saj, Kurti numëron rreth 300 role në teatër dhe në kinema. Me role karakteri ajo spikati jo vetëm për dramën që këto role mbartën, por dhe me mënyrën e interpretimit.
Kurti ka interpretuar edhe në kinema, në rreth 35 filma artistikë, duke filluar me filmin e parë shiptar të metrazhit të gjatë, “Tana”, më 1958.
Prej vitit 1949 ajo u emërua aktore në Teatrin “Migjeni” në Shkodër, ku interpretoi mbi 120 role. Tinka Kurti do të shkëlqejë në rolet protagoniste në shfaqjet: “Gjaku i Arbrit”, “Histori Irkutase”, “Toka Jonë”, “Fisheku në pajë”, “Fejesa” etj. Ajo ka interpretuar mbi 35 role në kinema dhe do të mbahet mend në rolin e protagonistes, në filmin e parë shqiptar me metrazh të gjatë ”Tana”, në vitin 1958.
Kurti ka spikatur me rolet e Nënë Pashakos tek filmi “Yjet e netëve të gjata” (1972), Nëna tek filmi “Çifti i lumtur” (1975), Sinjorina Mançini tek “Vajzat me kordele të kuqe” (1978), Gjyshja tek “Zemra e nënës” (1993) etj.
Për të vlerësuar rolin e saj në kinematografinë shqiptare në Festivalin XI të mbajtur prej 23 deri në 27 prill 2000 në Tiranë iu dha Çmimi i Madh i Karrierës.
Kurti u nderua me titullin “Artiste e Merituar” në vitin 1961. Për meritat e saj të mëdha artistike Tinka Kurti është vlerësuar edhe me titullin e lartë “Artiste e Popullit”.
Tinka Kurti ka marrë çmime të shumta, si në festivalet kombëtare të filmit, ashtu edhe në ato të teatrit. Këtyre çmimeve u shtohen edhe vlerësime të tjera të rëndësishme, si medalja “Mjeshtër i Madh i Punës”, dhe “Nderi i Kombit” akorduar nga Presidenti i Republikës.
Dy kinema, një në Tiranë dhe një në Durrës mbajnë emrin e saj. Gjithashtu, emrin e Tinka Kurtit mban edhe një shkollë në fshatin Lekbibaj në Shqipëri. Në vitin 2003, regjisori shqiptar Esat Teliti realizoi një dokumentar të titulluar thjesht “Tinka” kushtuar jetës së saj.
Edhe pse i ka kaluar të nëntëdhjetat ajo vazhdon të jetë aktive edhe në ditët e sotme. Një nga shprehjet e saj është: “Nuk e kam frikë plakjen e as vdekjen, por kam frikë nga plakja e trurit, dhe në qoftë se ky moment vjen në jetën time, mendoj se do të isha dy herë e vdekur. Për këtë arsye dua të vazhdoj të punoj.”