OPINION nga Reldar Dedaj: Demokraci, mbrapa ktheu!

Reldar Dedaj

Shqipëria vazhdon ende të jetë e kërrusur nga pesha e aktiviteteve të rrjeteve të narkotrafikut, nga një qeveri e shkrirë qartësisht me këtë rrjet, nga një kryeministër arrogant që s’heq dorë për të futur në gurmaz të gjitha pushtetet, nga një opozitë e pafuqishme për t’u përballur me këtë gjendje qoftë për shkak të përgjegjësive të veta, qoftë për shkak të degradimit të situatës; media të kontrolluara, elita akademike të korruptuara e të nënshtruara dhe një shoqëri civile e vënë e gjitha në shërbim të qeverisë. Zërat kritikë po pakësohen dita-ditës dhe shoqëria po vazhdon të zhytet në një depresion të tillë, saqë ka filluar ta pranojë hapur perspektivën e një politike moniste, ku gjithkush prej nesh e pandehte se e kishte lënë mbrapa.

Të gjithë menduam se koha kur shteti i udhëhequr nga një burrë i vetëm për disa dekada me radhë tashmë kishte perënduar. Dhe, në të vërtetë, a nuk ishim ne dëshmitarë të shpalosjes së beftë të revolucioneve nëpër botën arabe që çoi deri te rrëzimi nga froni i Ben Alisë në Tunizi, Mubarakut në Egjipt, apo Gadafit në Libi? A nuk ishim ne ata që pamë se si ushtria e dëboi nga posti diktatorin 94-vjeçar të Zimbavesë, Robert Mugabe, pas afro dyzet vitesh në krye të shtetit? Dhe, natyrisht, sot kemi edhe rastet e pakta të diktaturave klasike, siç është ajo e Koresë së Veriut. (Kjo e fundit, për nga niveli i paranojës, izolimit grotesk dhe gatishmërisë për sakrificë kolektive në emër të një ideali anti-imperialist, na kujton Shqipërinë e viteve ’60-’70). Kuba, pas vdekjes së Fidel Kastros, mundohet ende të mbajë gjallë lavdinë e një revolucioni tashmë të rrjepur nga pesha e ndryshkut ekonomik dhe varfërisë sociale, por është vetëm çështje kohe para se shoqëria atje të hapet për gara pluraliste për pushtet.

Pra, atëherë kur menduam se autoritarizmi dhe mbi të gjitha regjimet autoritare kishin marrë fund, Shqipërisë i kanoset rreziku i ngecjes në një purgator gjysmë-demokratik apo kinse-demokratik, ku klasa politike luan lojën e një demokracie fasadë, mbrapa së cilës fshihet një sistem plotësisht i kapur nga tentakulat autoritare të kësaj klase. Sigurisht, kohërat e sotme nuk prodhojnë diktatura në kuptimin klasik të kësaj fjale. Ato janë duke prodhuar sisteme perfide, në të cilat demokracia rrëshqet apo kthehet mbrapsht dhe bëhet karikaturë e vetvetes.

Pse ndodh kjo?

Mund të themi se klasa politike shqiptare është një klasë politike hipokrite dhe duke qenë e tillë nuk është aspak çudi që pas vdekjes së mbretëreshës Elizabetë, klasa politike shqiptare rezulton të jetë më e vjetra në Europë. Ajo nuk ka më nevojë të ushtrojë terror mbi popull, si regjimi hoxhist për shembull, që ta mbajë nën kontroll. Madje, nuk është e nevojshme as të ketë një sistem njëpartiak. Përkundrazi, sot sistemi pluralist mundëson zgjedhje të lira dhe demokratike, ndërsa pushteti është i pari që bën thirrje që të respektohet Kushtetuta dhe ligjet e vendit. Por nën sipërfaqen e kësaj hipokrizie, normat dhe rregullat e sistemit demokratik manipulohen ashtu sa është vështirë se mund të flasim për një demokraci të mirëfilltë, por veç për një sistem autokratik apo autoritar të qeverisjes. Dhe pikërisht këtu, nën vellon e kinse-demokracisë, nën petkun e paqes dhe stabilitetit shoqëror, fshihet natyra autoritare e qeverisjes së kësaj klase politike.

A nuk ishim dëshmitarë të asaj se çfarë ndodhi në Kongresin e Partisë Socialiste, ku forca më e madhe qeverisëse ishte e gjitha e njësuar me liderin e saj, Edi Rama. Ai vazhdon të rrotullohet për gati tre dekada të plota si luledielli rreth pushtetit dhe askush nuk duket se po ia trazon qetësinë. Si për ta plotësuar edhe më shumë kuadrin e krupës dhe neverisë, duhet shtuar këtu edhe një pamje tjetër e Shqipërisë së sotme politike, opozita e Sali Berishës. Në të dy pamjet, ka një emërues të përbashkët, reduktimi i partisë tek përmasat dhe humoret e liderit, pa ndonjë ideologji apo program specifik. Njësimi i PS-së me Edi Ramën dhe njësimi i “Rithemelimit” me Sali Berishën është veç personal dhe aspak ideologjik. Klasa jonë politike nuk ka ndërtuar vetëm parti politike që janë thjesht mekanizma për kalcifikimin e pushtetit të liderit, që statutet, organet dhe figurat ndryshojnë sipas orekseve të tyre, por edhe demokraci të dobëta ose kinse-demokraci.

PS dhe Rithemelimi, dy pamje të së njëjtës medalje, janë thjesht një zgjatim i liderëve të tyre dhe e gjithë kjo shpjegohet me faktin se ata të dy kanë privatizuar të gjithë pushtetin. Reduktimi i partisë tek individi apo familja e tij, jo vetëm e zhvesh atë subjekt politik nga identiteti ideologjik apo programor, por pamundëson në maksimum rinovimin e kësaj klase politike. Sepse karriera brenda partive politike nuk bëhet më në bazë të aftësive individuale, ideve dhe angazhimit në strukturat partiake, por thjesht në funksion të humorit dhe shijeve të bosëve të politikës. Një klasë e tillë politike, duke mënjanuar në maksimum qytetarët dhe simpatizantët nga vendimmarrja, ngjason më shumë se me gjithçka tjetër me shtëpinë pa jetë, bosh, së cilës nis t’i rrënohet pullazi, t’i kalben trarët, t’i plasariten muret, t’i tronditen themelet. E zë veten brenda.

Rendi normal i gjërave e thotë që ata do duhej të ishin shpresa jonë e madhe për ndryshim, për një politikë ndryshe, për një frymë më europiane; por, oh Zot i madh, nga ajo që shohim këta janë shumë të frikshëm. Ata janë aq të pafuqishëm për të qenë kaq gllabërues dhe po kaq ujqër të uritur e të pashpresë. Nga kjo që shohim, para këtyre lubive, jo vetëm shqiptari i thjeshtë duket aq i vogël, aq i pafuqishëm, por edhe vetë demokracia, të cilën e kanë katandisur në një kinse-demokraci. Lubia është mësuar tash e tridhjetë vite që për pushtetin duhet derdhur gjak, ku çdo lider politik të ketë heronjtë e tij, që shqiptarin e drobitur dhe të përunjur t’a përplasi si ‘klysh kurve’ në për protesta të dhunshme dhe të përgjakshme, e pak të vrasë mendjen se çfarë ndodh më pas…

Kjo qasje tregon se sa e pamëshirshme dhe e paaftë është kjo klasë politike, një klasë që nuk bind dot popullin të jetë me të, por kërkon veçse popull hua, ku pas çdo proteste kërkon si gogoli veçse kufoma njerëzore; duke sakrifikuar njerëz të varfër e të pashpresë që nuk kanë lidhje aspak me interesat e tyre. Është pikërisht kjo racë lubish që e ka shtyrë shqiptarin të adhurojë dhunuesin, ku njeriu i drobitur dhe i shpartalluar nga të gjitha pamjet, nis e mendon: Dhunuesi ynë është i adhuruari ynë. Ai është plot pushtet dhe me potencë të adhurueshme kur na shtyp. Ka lezet. Ne kemi nevojë për kësi burri. Jo si ju, pederastë, që s’keni asnjë fije potence./Liberale.al/

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com