Mbyllet seanca plenare mes debateve dhe përplasjeve të shumta. Mazhoranca miratoi me 74 vota pro të gjithë rendin e ditës që ishte parashikuar.
Mes tensionesh, përplasjeve dhe kaosit jashtë dyerve të kuvendit, seanca nisi dhe zgjati vetëm pak minuta, pa diskutime. Kryetarja e kuvendit kaloi në votim rendin e ditës.
Socialistët javën e kaluar depozituan me procedurë të përjashtuar në Kuvendin e Shqipërisë disa ndryshime në rregulloren e kuvendit. Sipas ndryshimeve,, deputetët që nuk do kenë një sjellje normale në Kuvendin e Shqipërisë, mund të përjashtohen nga 30-60 ditë nga Kuvendi.
Ishin ligjvënësit demokratë ata të cilët bllokuan dy hyrjet kryesore të parlamentit dhe nuk lejuan kolegët e PS të hynin në ambientet e brendshme të Kuvendit.
Çfarë ndodhi para Kuvendit? Gaz Bardhi: Do e çojmë në Kushtetuese
Pas përplasjeve, deputetët e PS mundën të hynin nga një hyrje tjetër. Sipas ish-sekretarit demokrat Gazmend Bardhi, kolegët socialistë hynë nga dritarja e tualetit. Pas nisjes së seancës deputetët demokratë që ishin në sallë ndezën tymuese dhe tentuan të bllokonim punimet e seancës plenare. Përplasje të forta u panë dhe mes deputetëve të Partisë Demokratike dhe Gardës së Republikës.
Shtyrje fizike dhe përleshje ndodhën në derën e hyrjes kryesore të parlamentit. Deputetët e përjashtuar të opozitës u përplasën e efektivët të cilët ishin pozicionuar për të mos lejuar hyrjen e tyre.
Deputeti Flamur Noka shihet në një moment teksa shtyn një efektiv të gardës dhe thyen xhamin e derës kryesore. Deputetët e PD pretenduan se garda po bllokon me të padrejtë që të hyjnë dhe deputetët të cilët nuk janë të përjashtuar. Gaz Bardhi u shpreh se do të çojnë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e sotëm të parlamentit, që sipas tij është antikushtetues. “Sot në një atentat të vërtetë ndaj parlamentarizmit është ndryshuar seti i rregullave që garanton bashkëjetesën mes forcave në parlament. Vendimi u sotëm antikushtetues do dërgohet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Ne nuk e njohim këtë ndryshim të njëanshëm, të dhunshëm të rregullores. Nuk do t’i bindemi atyre rregullave”, tha Bardhi.
Kaosi në Kuvend, Berisha: Ky është fundi i parlamentit
Ndërkohë që pritej nisja e seancës në Parlament, deputetët opozitarë nisën përplasjet me punonjësit e gardës, pasi këta të fundit nuk po i lejonin të hynin në sallë, kjo për shkak se para parlamentit u shfaqën edhe deputetët të cilët janë përjashtuar me vendim të sekretariatit të etikës.
Pas bllokimit të dyerve të Kuvendit dhe përplasjes me gardën, ish-kryeministri Sali Berisha tha se deputetët e mazhorancës janë futur nga dritarja brenda në sallën e parlamentit. Ai tha se kjo dritare, simbolizon “vrimën e miut” ndërsa i krahasoi deputetët e mazhorancës me Tarzanin”.
“Deputetet janë futur nga kjo deriçkë që qenka dritare fare, e cila përfaqëson vrimën e miut, ky është fundi i parlamentit, i narko-regjimit të Edi Ramës. Ja dera e Tarzanit”,- tha Berisha.