Nga Enxhi Hoxha
Prej 96 orësh, orkestrës së demokracisë po i dirigjohet nota gjyqësore, po i diktohet timbri, po i duartrokitet ekzekutimi, po i atashohet tingulli ligjor, po i lakmohet vërtetësia, po i lëngohet pandëshkueshmëria! Simfonia aktuale, është kompozimi i mohuar nga devijimi i çdo instrumenti ligjor, që i ka shërbyer lakmisë së kujtdo, kurdo e kudo! 30 vite tranzicion, me lule zanore korruptive, për interpretimin e stisur të këngës së Shqipërisë borgjeze, me skenografi të dekoruar prej premtimeve, mashtrimeve e vjedhjeve masive. Në të njëjtën valë frekuence muzikore, në prapaskenë këndon kori i shqiptarëve të zhgënjyer, valltarët e vajtimit ligjor, lincimit popullor, sundimit shekullor!
Privatizimi i ish-kompleksit “Partizani” nga Arbër Malltezi & Co, në kohën e regjimit Berishian, është evidencë e pastër e nepotizmit, abuzimit të pushtetit, përdhosjes së zbatimit të ligjit, mohimit të së drejtës, persekutimit të barazisë e çdo aksiome parimore të demokracisë. Uzurpimi i hapësirave publike, është plagë e turp për çdo autor që lëshon leje ndërtimi pa teklif, duke zaptuar secilën hapësirë publike, që si rrjedhojë minimizon parqet e gjelbërimin, duke i privuar qytetarëve jetën e shëndetshme, sadopak a shumë! Tentakula tjetër e së njëjtës çështje, është po aq intensive në shqetësimin që fertilizon, sepse investime të tilla janë skema më frekuente e pastrimit të parave. Ky skenar influencon në ekonominë e tregut, duke induktuar çmime stratosferike në shit-blerjen e pronave. Qoftë apo jo ky rasti, vala e ndërtimeve rezulton në pasoja të parikuperueshme, aq sa jeta fatkeqësisht pamundësohet në Tiranë. Kultura e ndërtimeve pa kriter, është marrëzi që duhet të kapitullojë! Tirana nuk është han pa porta, eja, zbarko, instalohu e plaçkit, rrëno e sundo ç’të ka ënda! Tirana është identiteti i Kombit, kryefjala e vendit, pasuri absolute, streha e mbi 1 milion shqiptarëve, që sigurisht ngulmojnë në një jetesë me standarde. Shqyrtimi i kësaj dosjeje nga autoriteti i Prokurorsë së Posaçme, është këmbana e sundimit të ligjit, shpresa e aromës autentike të demokracisë, aktualiteti që përligj togfjalëshin e ëndërruar: fundi i pandëshkueshmërisë!
Valenca politike e Sali Berishës, rrit koeficientin e lojës së SPAK-ut, i cili nën observimin e arbitrimit amerikan ekspozon në fushë, drejtësinë e pandalshme, që ka guximin të pozicionojë përpara ligjit, çdo të paprekshëm. Jo vetëm Berisha, por skanimi i veprës publike të Lefter Kokës, Arben Ahmetajt, Fatmir Mediut e çdo eksponenti me kredibilitet politik, e bën terrenin më pjellor, për çdo filiz abuziv të pamarrë ende në ngarkim të ligjit! Nga ana tjetër, pretendimi i Berishës se procesi është fakultativ, duhet të mbetet prononcim i ekspertëve, por sa kohë, ish-kryeministri s’ka asgjë për të fshehur, duhet ta pranojë ftesën e uljes në bankën e akuzës. Konferencat e njëpasnjëshme të Sali Berishës, mbledhja e Kryesisë, e Kongresit dhe angazhimi për prudencë publike të çdo aktori politik të PD-së, ridëshmon baltosjen, vetëflijimin, ngujimin e kauzës opozitare në emër të mbijetesës së familjes Berisha! Askush s’merret me projektligjet apo operimin administrativ të qeverisë, sepse koha iu premton vetëm për paqen e udhëheqësit shpirtëror dhe diellin mbi çatinë e tij. Ditën e djeshme, Berisha pohoi se mosbindja civile do të instrumentalizojë çdo akt të nevojshëm, për të moslejuar instalimin e regjimit. Keqardhje, sesi kërkohet rijetësimi i ‘97-ës dhe përgjakja e shqiptarëve. Sot, Berisha atakon në plan personal gjyqtaren Irena Gjoka, si dhe ka paraqitur pranë GJKKO-së kërkesën për shkarkimin e saj me pretekstin se po shkel Kushtetutën. Dje, ka atakuar shumë më rëndë Ina Ramën duke e epitetizuar në regjistrimin më të ulët të dinjitetit, vetëm se zgjodhi të ishte shërbëtore e ligjit! Kjo strategji e linçimit verbal, nuk i ka hije një shtetari, ndaj edhe për këtë, Sali Berisha lypset të jetë subjekt i ligjit. Sidoqoftë, në këtë vend ka trokitur ora e demokracisë!
Ironikisht, leksionin më të bukur opozitar të momentit, kardiologu Berisha duhet ta marrë nga protesta e studentëve të Mjekësisë. Te rinj ambiciozë, veshur me dinjitet, integritet e tejet prestigjozë në çdo dalje të tyre publike, ku qasja e parashtrimit të çdo kërkese dhe ndjekja e rrugës ligjore, dëshmon se janë vlerë e krenari për vendin! Shpirti qëndrestar e rezistenca paqësore, si dhe potenca e të qenurit kryefjalë mediatike, pa kurrëfarë interesi të financuar, përligj bindjen se Shqipëria e gjeneratës tjetër, është e nesërmja e premtuar…