BE-ja i kërkon Shkupit të bëjë reforma të thella në sistemin gjyqësor

Bashkimi Evropian (BE) ia ka bërë thirrje Maqedonisë së Veriut të bëjë reforma të thella në sistemin gjyqësor të vendit, duke vlerësuar se ai ka arritur në “një pikë kritike”, pas skandaleve të shumta lidhur me lirimin e shumë zyrtarëve të korruptuar nga ndjekja penale nga periudha e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, vjetërsimin e lëndëve edhe lirimin nga burgu të disa prej tyre.

Ambasadori i BE-së në Shkup, David Geer, i paraqiti të martën 40 masa të një grupi të ekspertëve evropianë, të cilat, tha ai, duhet të jenë prioritet i tanishëm i autoriteteve maqedonase, por edhe i çdo qeverie të ardhshme për ta vënë në binarë sundimin e ligjit në Maqedoninë e Veriut, shkruan REL.

Masat kanë të bëjnë me reformimin e Këshillit Gjyqësor, përkatësisht ndryshimin e mandatit të anëtarëve, procesin e përzgjedhjes së anëtarëve, përmirësimin e praktikave të transparencës, rritjen e pavarësisë financiare të organit dhe përfshirjen e shoqërisë civile në përzgjedhjen e anëtarëve në monitorimin e punës së tij.

“Duhet veprim urgjent për ta adresuar këto probleme, sepse gjyqësori është në një pikë kritike. Problemet në Këshillin Gjyqësor janë grumbulluar prej kohësh dhe nuk janë adresuar me kohë dhe në mënyrë të duhur dhe sistematike”, tha Geer.

Këshilli Gjyqësor është institucioni më i rëndësishëm në gjyqësorin e vendit, sepse ai vendos për përgjegjësinë, disiplinën dhe shkarkimin e gjyqtarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com