Kulluri për çështjen e inceneratorëve: Institucionet e drejtësisë, hetim dhe gjykim të paanshëm

Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun i Partisë Demokratike, Edvin Kulluri të hënën në një deklaratë për mediet tha se, “PD vlerëson thellimin e hetimeve nga SPAK, lidhur me rolin e Bashkisë Tiranë në skandalin e Inceneratorëve”.

Njëkohësisht, shtoi ai, “opinioni publik pret nxjerrjen e përgjegjësive ligjore të funksionarëve më të lartë të Bashkisë, si Kryetarin dhe Administratorin e Përgjithshëm”.

Sipas tij, “Kryetari i Bashkisë Tiranë është angazhuar personalisht me shkrim përmes anekseve të marrëveshjes me Ministrinë e Mjedisit,  se merr përgjegjësinë e plotë për detyrimet financiare sipas kontratës për Landifillin e Sharrës, për një shërbim që nuk u ofrua kurrë”.

“Kryetari i Bashkisë Tiranë përfaqëson autoritetin më të lartë ligjor në marrëdhënie më palët e treta, konkretisht kompaninë që nuk e ofroi as edhe një ditë djegien e mbetjeve”, theksoi Kulluri.

Ai nënvizoi se, “Menaxhimi i Mbetjeve Urbane është kompetencë ekskluzive e njësive të qeverisjes vendore, konkretisht Bashkisë Tiranë”

“Administratori i Përgjithshëm është personi përgjegjës sipas ligjit për Buxhetin e Shtetit për të ardhurat dhe shpenzimet e institucionit”, theksoi ai.

Kulluri u shpreh se, “inkurajojmë SPAK dhe GJKKO që të vijojnë dhe thellojnë hetimet, jo vetëm për Bashkinë Tiranë, por të gjitha bashkitë që kanë ekzekutuar këtë grabitje të parave të taksave të shqiptarëve”.

“Partia Demokratike përsërit përpjekjet e institucioneve të drejtësisë për hetim dhe gjykim të paanshëm dhe barazi para ligjit për çdo zyrtar dhe qytetar të Republikës së Shqipërisë”, përfundoi deklaratën Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun i Partisë Demokratike, Edvin Kulluri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com