Vëllai i Liridona Ademaj, ka reaguar sërish për vrasjen e motrës së tij me porosi të bashkëshortit të saj, Naim Murseli, i cili tashmë është i arrestuar dhe pritet të dalë në gjykatë.
Përmes një postimi në Facebook, Leonard Ademaj ka paralajmëruar se tashmë do të nisë fushata e familjes për të kërkuar llogari për vrasjen e vajzë së tyre. Ai thotë gjithashtu se familja e tij shpreh mirënjohjen për të gjitha organizimet që janë bërë për të nderuar Liridonën dhe për të kërkuar drejtësi për të gjitha gratë e vajzat që kanë qenë viktima nga dora e burrave.
Postimi i plotë i Leonard Ademajt:
Nuk kemi fjalë të shprehim mirënjohjen tonë për të gjitha organizimet për të nderuar Liridonen dhe për të kërkuar drejtësi për të gjitha gratë dhe vajzat e vrara. Ditët po na bëhen edhe më të vështira dhe mezi po kalojnë e dhimbja po rritet por organizimet në shumë qytete në Kosovë dhe në Shqipëri po na japin forcë që të mos dorëzohemi.
Sonte bashkë me nanen po i përcjellim lajmet dhe marshin në Prishtinë dhe ndonëse shumë e pikëlluar, nana vazhdimisht po thotë faleminderit prej tyre që po e bëjnë këtë për Donen time.
Kampanja jonë për drejtësi fillon tash, bashkë me juve aktiviste, organizata joqeveritare dhe me mbështetjen e mediave. Ne duam drejtësi të shpejtë dhe profesionale, pa vonesa dhe pa gabime. Kriminelët duhet të kalben në burg. Asnjë grua tjetër nuk duhet të vritet. Ne besojmë në institucionet e shtetit dhe presim që të ndajnë drejtësi.