Një shqiptar i Kosovës ka rënë në prangat e Policisë në Maqedoninë e Veriut, pasi ishte shpallur në kërkim në Ekuador për vrasje.
Sipas burimeve nga mediat e huaja, i arrestuari Remzi Azemi ishte i dyshuari kryesor për vrasjen e shqiptarit Ilir Hidri, e ndodhur në maj të vitit 2017 në qytetin Guayaquil të Ekuadorit.
Po ashtu bëhet me dije se gjatë procesit hetimor janë grumbulluar prova që dëshmojnë lidhjen e Azemit me këtë krim. Azemi ishte në njoftim të kuq në listën e Interpolit për atë vrasje. Njësia Gjyqësore Kriminale Jugore, me seli në Guayaquil, kishte lëshuar një urdhër arresti për të në vitin 2021.
“I arrestuari është në pritje të procesit formal të ekstradimit”, tha Policia.
Kujtojmë se 40-vjeçarit shqiptar Ilir Hidri iu bë atentat në Ekuador, më datë 1 qershor 2017. Shqiptari nga Vlora është qëlluar me 3 plumba pas koke. Ka dyshime se Hidri ka qenë një bashkëpunëtor i policisë i futur në rrjetin e drogës, madje dyshohet se ai ka bashkëpunuar me DEA-n amerikane për zbardhjen e krimeve e aktivitetit të rrjetit të drogës.