Balla e pranon: Emigrantët e Italisë mund të qëndrojnë më shumë 28 ditë në Shqipëri

Marrëveshja e qeverisë shqiptare me atë italiane parashikon strehimin e emigrantëve për 28 ditë në Gjadër.

Por, ministri i Brendshëm, Taulant Balla, pranoi këtë të mërkurë se emigrantët mund të rrijnë edhe më gjatë se 28 ditë.

Ai tha se në disa raste mund të qëllojë që një emigrant të qëndrojë në Shqipëri edhe 2 apo 3 muaj, pasi strehimi i tyre lidhet me procedurat ligjore të shtetit fqinj.

“Nuk ka asnjë rrezik dhe asnjë lloj aktiviteti kriminal prej secilit prej tyre jashtë territorit të qendrës, për arsye se qendra është e monitoruar 24 orë nga policia shqiptare. Shpenzimet për kostot e këtij operacioni do të mbulohen të gjitha nga qeveria italiane.

Pra, duhet të jeni shumë të qetë, pasi nuk ka asnjë rrezik për kryerjen e një aktiviteti kriminal jashtë territorit.

Përsa i përket numrit, kapaciteti është 3 mijë, janë 3 mijë shtretër dhe nuk bëhet fjalë se kam dëgjuar shpesh që thuhet 12 muaj herë 3 mijë, i thonë 36 mijë.

Jo, nuk është kështu! Mund të rezultojë që një person të rrijë edhe 2 muaj, edhe 3 muaj sepse lidhet me procedurat.

Ne jemi referuar se ligji italian përcakton një kohë 28 ditore, por mund të qëllojë që të marrë më shumë. Duhet të lirohet një shtrat që të mund të vijë dikush tjetër.

Nuk bëhet fjalë që mund të vijnë 36 mijë, këtu ka një kapacitet 3 mijë shtretër”, theksoi Balla.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com