Pas një sëmundje të rëndë u nda sot nga jeta në moshën 75-vjeç një nga figurat më të spikatura të filmit dhe teatrit, Mirush Kabashi. Drejtuesit më të lartë të shtetit, që nga Presidenti, Begaj, Kryeministri Rama, Kryparlamentarja Nikollam, Kryedemojrati Basha etj, shprehën ngushëllime për humbjen e aktorit të madh Kabashi, duke përcjellë edhe mesazhe vlerësimi.
Presidenti Begaj: Lamtumirë Artistit që ngriti në peshë sallat kudo performoi!
Presidenti Bajram Begaj iu është bashkuar reagimeve ngushëlluese për ndarjen nga jeta të aktorit të njohur, Mirush Kabashi. “Lamtumirë Artistit që mbajti gjallë brenda nesh dashurinë për artin dhe ngriti peshë sallat kudo performoi! Lamtumirë “Nder i Kombit”, Mirush Kabashi!”, shkruan Begaj.
Kryeministri Rama: Lamtumirë “Nder i Kombit”, Mirush Kabashi
Kryeministri Edi Rama reagoi që në orët e para të mëngjesit, kur, sapo u mësua lajmi i trishtë i ndarjes nga jeta të një prej figurave më të spikatura të artit dhe kulturës sonë, në gjysmëshekullin e fundit. “Lamtumirë Artistit që mbajti gjallë brenda nesh dashurinë për artin dhe ngriti peshë sallat kudo performoi! Lamtumirë “Nder i Kombit”, Mirush Kabashi. Lamtumirë Mirush”, shkruan Begaj.
Kryeparlamentarja Nikolla: Mirushi u dha jetë veprave të mëdha artistike
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla shprehu trishtimin për ndarjen nga jeta të aktorit. “Artisti i Merituar Mirush Kabashi nuk është më. Por shqiptarët do ta kujtojnë për veprën dhe trashëgiminë e tij. Mirushi ishte një artist i madh. Me krijimtarinë e tij u dha jetë veprave të mëdha artistike, nga vendi dhe arti botëror”, u shpreh Nikolla në rrjetet sociale. “Me talentin e tij, me mbi njëqind personazhet që krijoi në skenë dhe në ekran, Mirush Kabashi na bëri të mendojmë, të reflektojmë, shpesh edhe të qeshim, për problemet e mëdha të shoqërisë. U prehsh në paqe, Mjeshtri ynë i madh dhe i paharruar!”, tha Nikolla.
Ministrja e Kulturës, Margariti: Ngriti peshë zemrat e miliona shqiptarëve
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në një reagim në rrjetet sociale kujtoi takimin e fundit me aktorin Mirush Kabashi, të cilin e quan “Sokrati shqiptar”. “Duket si një çast nga takimi i fundit, nga ai shtrëngim duarsh dhe ajo buzëqeshje rrezëllitëse plot urtësi dhe mirësi… aq sa duket e pabesueshme kjo ikje…”, u shpreh Margariti, duke e vlerësuar aktorin si “artistin që me zërin dhe fjalën e tij, ka ngritur peshë zemrat e miliona shqiptarëve”. “U prehsh në paqe Mirush Kabashi, artistë si ty janë të përjetshëm në zemrat e publikut, që e deshe dhe të deshi pa fund!”, mbyll homazhin e saj, ministrja e Kulturës.
Kryedemokrati Basha: Dhuroi emocione përmes qindra roleve në teatër dhe në kinematografi
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh në rrjetet sociale i hidhëruar nga lajmi i përcjellë nga familja Kabashi për largimin nga jeta i një prej yjeve më të shndritshëm të artit tonë, Mirushit.
“Një ikonë që me pasion, talent dhe dashuri për artin dhuroi emocione përmes qindra roleve në teatër dhe në kinematografinë shqiptare. Virtuozizmi i tij do të mbetet i paharruar, si një trashëgimi artistike e lënë ndër breza”, u shpreh Basha. “Ngushëllimet e mia më të ndjera. Lutjet e mendimet e mia janë me familjen Kabashi, të afërmit, miqtë, kolegët dhe dashamirësit e shumtë të mjeshtrit të madh. U prehtë në paqe!”, përfundoi ai.
Kryebashkiaku Veliaj: Aktor i madh i skenës, interpretues i rrallë i poezisë
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shpreh ngushëllimet për ndarjen e parakohshme nga jeta të aktorit Mirush Kabashi. Në një postim në rrjete sociale Veliaj shkruan: “I trishtë lajmi për ndarjen nga jeta të aktorit të madh të skenës, interpretuesit të rrallë të poezisë, të artistit Mirush Kabashi”. “Lamtumirë, i madhi Mirush!”, u shpreh Veliaj.