Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq deklaroi një ditë më parë se gjatë viteve që partia e tij ndodhet në pushtet, falë politikës së tij të jashtme ka hequr 28 njohje të pavarësisë së Kosovës.
“Është e lehtë të kritikosh qeverinë. Kanë 11 vjet që thonë që e kam njohur pavarësinë e Kosovës. Por gjatë qeverisjes sime 28 shtete e tërhoqën njohjen e Kosovës. Zgjedhjet nuk janë lojë. Qytetarët vendosin sesi do të jetë vendi i tyre. Libia ka më shumë naftë se Emiratet Arabe, por shikoni dy shtetet sa ndryshojnë”, tha Vuçiç.
Sipas Ministres së Jashtme të Kosovës kjo nuk është e vërtetë, duke e konsideruar pretendimin si të dëshpëruar nga ana e Vuçiq.
“Pretendimi i dëshpëruar i presidentit serb nuk qëndron. Gjatë këtij mandati qeverisës nuk ka pasur asnjë ç’njohje të vetme”, ishte reagimi i Gërvallës.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me të gjitha vendet, të cilat e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, qoftë përmes kanaleve diplomatike apo partnerëve tanë strategjik dhe në asnjë rast nuk është diskutuar mundësia për ndryshim të pozicionit në raport me Republikën e Kosovës siç pretendohet në lajme të rreme dhe kampanja destruktive mediale të prodhuara nga Serbia. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës mbetet e përkushtuar të shtojë intensitetin e aktiviteteve për të çuar përpara agjendën tonë drejt anëtarësimit në BE dhe NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare” thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Kosovës për gazetarin e Euronews Albania.
Për të siguruar mandatin e radhës në zgjedhjet e 17 dhjetorit, Vuçiç ka bërë premtimet të shumta ekonomike, të cilat kanë ndezur debate në Serbi. Sipas tij, në vitin 2027 paga mesatare në Serbi do të jetë 1400 dollarë. Ndërsa ditët e fundit ka premtuar 100 euro shpërblim për pensionistët si dhe paketë shpërblimi për të gjithë studentët në Serbi. Opozita në Serbi e ka akuzuar Vuçiç se ai ka premtuar njohjen e Kosovës pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit.