Nëntori i katërt?! Edi Rama “futet” në historinë e përjetshme të shqiptarëve

Nga Laert Miraku

Fundi Nëntorit është muaji kur shqiptarët, brenda Republikës së Shqipërisë dhe kudo nëpër botë, tregojnë para njëri-tjetrit dhe mbarë globit se sa patriotë janë. Një pjesë bëjnë shqiponjën më duar, të tjerë vishën kuq e zi, dhe të tjerë valëvisin flamurin në ballkonet e shtëpive apo dritaret e makinave.

Nëntori ju kujton shqiptarëve figurat që kanë hyrë në historinë e përjetshme të kombit shqiptar. Fillimisht ju kujton heroin tonë kombëtar ,Gjergj Kastriot Skënderbeun, i cili më 28 Nëntor 1443 ngriti flamurin në kalanë e Krujës. Për më shumë se çerek shekulli shqiptarët nën drejtimin e Skënderbeut jetuan “të lirë.” Pak kohë pas vdekjes së heroit, viset shqiptare u pushtuan sërish nga Osmanët. Gjatë katër shekujve të kaluar ka pasur gjithmonë kryengritje të shqiptarëve, por asnjëherë të përmasave të Skënderbeut. U deshën plot 469 viteve, ku më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë dhe shpalli “pavarësinë” e Shqipërisë. Por pas çerek shekulli Shqipëria u pushtua sërish, këtë herë nga Italia fashiste e më pas nga Gjermania naziste. Në librat e historisë së Shqipërisë shkruhet se më 29 Nëntor 1944 është data kur trupat e armatosura “të udhëhequra” nga Enver Hoxha, “çliruan” vendin nga okupatori gjerman. Historia e vërtetë e shqiptarëve na ka mësuar se Enver Hoxha nuk ishte ndër kryesorët që drejtonte luftën “Nacional Çlirimtare”, por filmat propagandistikë të prodhuar para vitit 1990 që trajtojnë temën e Luftës së Dytë Botërore thuajse të gjithë thonë se drejtues i luftës ishte Enver Hoxha. Në fakt Enver Hoxha hyri në historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve si diktatori më i egër i Europës.

Deri tani shqiptarët njohin tre data historike për muajin nëntor dhe tre personalitete që kanë hyrë në historinë e përjetshme të shqiptarëve më të mirat dhe të këqijat e tyre. Duke parë rrugëtimin e Shqipërisë në 30 vite tranzicion shumëkush më të drejtë mund të pyes a ka ardhur koha për një nëntor të katërt. Aktualisht nuk jemi të pushtuar por në këto 30 vite shohim vetëm degradim të kombit shqiptar dhe shpopullim masiv. Koha e duhur për një tjetër hero ose burrë shteti. Këtë herë heroi duhet të na shpëtojë nga vetvetja. Kush mund të na e sjellë “shpëtimin”?

Nëse do të merrnim në konsideratë katër figurat që dominuan skenën politike në 30 vitet e fundit vetëm njëri i përmbush kriteret. Sali Berisha gjithmonë ka dashuruar pushtetin dhe paranë. Fatos Nano shijimin e jetës dhe paranë. Ilir Meta, postet dhe paranë. Edi Rama, protagonizmin dhe paranë.

Që në rininë e tij, Edi Rama e ka dashuruar protagonizmin dhe të qenurit në qendër të vëmendjes. Më kujtohet një deklaratë e gazetarit dhe moderatorit Blendi Fevziut i cili thotë se kur e kishte ftuar Edi Ramën për intervistë në TVSH ishte i vetmi që kishte ardhur në studio me një shkop përmes të cilit drejtonte prozhektorët e studios nga vetja. Po fotoja nga shtëpia e tij e dikurshme kur dhoma ishte e lyer me të kuqje gjaku e mbi mur ishin citate e zhgarravina. A ju kujtohet fotoja e Ramës si emigrant në Francë kur hante makarona. Apo rasti i fotove nudo në plazh. Fotoja me sopat në dorë. Apo veshja me poture dhe atlete të bardha në takimet ndërkombëtare.

Edi Rama kërkon që të jetë gjithmonë në qendër të vëmendjes. Madje dëshira e tij është shumë më e madhe për të dominuar mbi të tjerët se fuqia që ka treguar deri tani. Në pushtet Rama erdhi me premtimin e “Rilindjes”. Ai e krahasoi veten me “Rilindësit” që dhanë nga pasuria e tyre për të formuar shtetin shqiptar. Rama shpërbleu të gjithë ata që e lëvduan pa doganë. Edi Rama i bëri ministre, Elisa Spiropalin që e krahasoi me “Skëndërbeun” dhe Edona Bilalin që e krahasoi me “Zeusin”. Akoma publiku nuk ka mësuar se çfarë ka fituar Ornela Vorpsi kur tha se “i gjithë Parisi ishte i magjepsur nga Edi Rama, kur ai jetonte në Francë”.

Kushdo që e ka parë më vëmendje figurën e Edi Ramës në sferën publike dhe në politikë nuk ka më asnjë dyshim se ai kërkon me patjetër që të futet në historinë e përjetshme të shqiptarëve. Ai e di shumë mirë se aq sa ka bërë deri tani nuk futet dot në histori. Madje në këtë drejtim është më poshtë se kundërshtari i tij më i madh politik, Sali Berisha. Librat e historisë e konsiderojnë atë si pishtar të demokracisë, pavarësisht se ishte një nga të dërguarit e regjimit për të negociuar me studentët.

Nëse Edi Rama mendon se do futet në histori si politikani më jetëgjatë në “demokraci” pas rrëzimit të komunizmit duke pretenduar se ka qëndruar në pushtet përmes votës. Historianët e së ardhmes nuk do të harrojnë të shkruajnë se Edi Rama qëndroi aq gjatë në pushtet sepse vendi nuk kishte opozite dhe sistemi i “patronazhistëve” e mbajti atë në fron përmes, blerjeve të votave, intimidimeve dhe shantazhit. Edi Rama ka një jetë që paguhet nga taksapaguesit shqiptar. Fillimisht si pedagog, më pas si ministër, kryetar i bashkisë së kryeqytetit për tre mandate dhe si kryeministër prej 10 vitesh. Deri tani nuk ka realizuar as 10% të premtimeve elektorale. Për të hyrë në historinë e përjetshme të shqiptarëve Edi Ramës i duhet diçka shumë e madhe. Nuk ka të bëjë aspak se sa vite rri në pushtet. Apo sa territor të banuar me shqiptarë administron. Me rëndësi është se çfarë bën për shqiptarët dhe vendin tënd.

Skënderbeu solli lirinë, Ismail Qemali pavarësinë, trupat “e drejtuara” nga Enver Hoxha çliruan Shqipërinë, po Edi Rama çfarë duhet të bëjë për t’u futur në historinë e përjetshme të shqiptarëve? Edi Rama duhet të bëj diçka që ta shkëpusë njëherë e përgjithmonë Shqipërinë nga tranzicioni. Çelësi për të bërë Shqipërinë të jetë krah vendeve të zhvilluara është, liria, drejtësia dhe arsimi. Në 10 vite si kryeministër ka treguar se për lirinë dhe arsimin nuk ka realizuar as 5% të asaj që ka premtuar. Në shumë sektorë kemi dhe përkeqësime.

Për drejtësinë pretendon se ka bërë diçka. Megjithëse meritat i merr vetë dhe anashkalon presionin e madh të ndërkombëtarëve për institucionet e reja të drejtësisë. Nëse Edi Rama kërkon të përmbushë egon e tij dhe të futet në historinë e përjetshme të shqiptarëve duhet të kthehet në “një të penduar” të drejtësisë. Po e lexuat mirë. Nëse Edi Rama pendohet dhe e ofron vetën në shërbim të drejtësisë, në ato momente kemi shkëputjen e menjëhershme të Shqipërisë nga tranzicioni dhe themelin për një shtet të fortë dhe të ardhme të sigurt të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Në këtë rast do ishte vetëdorëzim pa kushte përballë drejtësisë. 

Nëse Edi Rama do ta konsideronte vërtet mundësinë për t’u kthyer në të penduarin e drejtësisë së pari duhet të merrte garanci nga SHBA, BE dhe NATO për të siguruar stabilitet në vend deri në ditën kur drejtimin e Shqipërisë ta marrë një klasë e re politike me intelektualë atdhedashës dhe patriote.

Dita e parë e një Shqipërie të zhvilluar fillon kur Edi Rama të ketë fituar statusin e dëshmitarit të mbrojtur dhe prokuroria të lëshoi urdhërarreste për; Sali Berishën, Ilir Metën, Fatos Nanon, dhe për ministra, ish-ministra, deputet, ish-deputet, kryetar bashkie e ish-kryetar bashkie, drejtorë dhe ish-drejtorë. Duket e pabesueshme, por i vetmi politikan me peshë që mund të kthehet i penduar i drejtësisë është Edi Rama. Të tjerët nuk do ktheheshin në të penduar të drejtësisë e të hiqnin dorë nga pasuria e tyre për asgjë në botë. Shumë kanë treguar se mund të sakrifikojnë edhe fëmijët kur vjen interesi, por jo pasurinë e vjedhur.

Edi Rama mund të dëshmojë para SPAK për gjërat që ka bërë por dhe për ato që ka dijeni. Nuk e di se çfarë ka bërë Edi Rama dhe sa të vërteta janë akuzat e opozitës për mister 20 për qind-shin e të tjera. Por do të përmend disa nga ngjarjet më të rëndësishme që kanë tronditur themelet e shtetit shqiptar dhe në disa raste kanë rrezikuar edhe shtetin.

  1. Ligji 7501, ish-pronarët nuk morën tokat e tyre, por pronat më të mira i morën më të fortët.
  2. Shkatërrimi i të gjitha uzinave dhe fabrikave dhe veprave të ndërtuara gjatë komunizmit.
  3. Mos hapja e dosjeve të ish-spiunëve të Sigurimit të Shtetit.
  4. Mos dënimi i xhelatëve që kryen krime monstruoze gjatë komunizmit.
  5. Kush po e vjedh pasurinë nëntokësore shqiptare?
  6. Firmat Piramidale, kush i vodhi paratë e shqiptarëve dhe futi vendin në kaos.
  7. Kush i inskenoi trazirat e vitit 1997, kujt i duhej destabilizimi i vendit për të mbuluar vjedhjet galoponte.
  8. Eliminimi me snajperë të ushtrisë dhe mina me telekomandë e pjesëtarëve të familjes Haklaj.
  9. Privatizimi i aseteve publike. Nga telekomunikacioni te hotelet shtetërore të kohës së komunizmit.
  10. Kush i vodhi 130 miliardë dollarë asete të ushtrisë shqiptare?
  11. Falja te fqinjët e vijës bregdetare shqiptar të konsideruar zonë ekskluzive. Rezerva natyrore naftëmbajtëse.
  12. Vjedhja e thesarit të shtetit në Krrabë. Si u vodh floriri i Krrabës?
  13. Zbardhja e plotë e ngjarjes së Gërdecit dhe të 21 janarit.
  14. Ku shkuan 1.15 miliardë € ndihma ndërkombëtare për Shqipërinë për tërmetin, po 500 milionë euro për pandeminë?
  15. Kush i jep direktiva qeverisë shqiptare për shkatërrimin e sistemit arsimor në Shqipëri?
  16. Kush e lejoj dhe zaptoi bregdetin e Shqipërisë nga Ksamili deri në Velipojë?
  17. Kush janë OJF-të që vjedhin ndihmat e ndërkombëtarëve në këto 30 vite duke ju shpërndarë shqiptarëve vetëm letra?
  18. Kush u jep garanci ndërkombëtarëve për ta kthyer Shqipërinë në kosh mbeturinash radioaktive?
  19. Kush e ka lejuar që Shqipëria të kthehet në rrugë kalimi ndërkombëtare e trafikut të drogës por dhe kultivuesja më e madhe e hashashit në Europë?
  20. Përse nuk i hyn gjemb në këmbë atyre gjakprishurve që e quajnë veten shqiptarë e s’ka ditë që nuk lobojnë kundra interesave të shqiptarëve në mbarë botën.
  21. Kush duhet të përgjigjet për betonizimin pa kriter të hapësirave publike?
  22. Kush do ta mbajë përgjegjësinë për shkatërrimin e portit më të madh te vendit?
  23. Përse konsiderohet normale dhe nuk mban askush përgjegjësi për emigrimin me dokumentacion të rregullt të 800 mijë shqiptarëve drejt vendeve të BE-së. Por numri i atyre që janë në BE pa dokumentacion të rregullt është akoma më i madh.

Këto janë vetëm disa. Secili prej nesh mund të rendisë më qindra skandale të dirigjuara nga politikanët shqiptarë. Nëse Edi Rama dëshmon dijeninë e tij, për ngjarjet e mësipërme vendi mund të futet në kaos. Por është një pastrim i nevojshëm për të filluar diçka të re. Në këtë rast Edi Rama do jepte kontributin kryesor në “Rilindjen” e shqiptarëve.

Sekuestrimi i pasurive të të gjithë këtyre hajdutëve që deri më sot nuk u ka hyrë gjemb në këmbë do i jepte një sinjal të fortë shqiptarëve se ky vend ka shpresa që të bëhet. Gjithçka që shkruaj duket utopike. Nëse Edi Rama do e lexoj vetë deri në fund do të qesh me të madhe. Por në të pandershmen e tij gjithmonë zëri i brendshëm do t’i flasë që të futet në historinë e përjetshme të shqiptarëve. Edhe nëse Edi Rama nuk merr kurrë guximin që t’u dhurojë shqiptarëve një “Nëntor të katërt” duke u bërë i penduari i drejtësisë, një minutë para vdekjes natyrale zëri i ndërgjegjes do t’i thotë: Si nuk bëre diçka që të mbetesh i pavdekshëm në historinë e shqiptarëve”.

(Botuar për herë të parë me 29/11/2022)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com