Fati tragjik i 40 firmëtarëve të Pavarësisë, pas ardhjes së regjimit komunist

Ishin dhjetëra atdhetarë nga të gjitha trevat shqipfolëse që mbërritën në Vlorë më 28 nëntor 1912, nga të cilët 40 nënshkruan Aktin e Pavarësisë së shtetit shqiptar krahas Ismail Qemalit.

Qëndrimi i regjimit komunist për pjesën më të madhe të familjeve ishte negativ. Në mungesë të shumicës, hakmarrja ra mbi trashëgimtarët e tyre.

Nga viti 1912 e deri në prag të Luftës së Dytë Botërore, vdiqën 44 prej delegateve të Pavarësisë, disa në Shqipëri dhe disa jashtë saj, ndërsa qeveritë e kohës i nderuan ata ashtu siç e meritonin. Nuk patën të njëjtin fat ata që mbetën gjallë gjatë luftës, por veçanërisht gjatë regjimit komunist.

Në vitet e Luftës së Dytë Botërore (1939-1944) ishin gjallë 35 nga 79 baballarët që themeluan kombin. Vetëm katër prej tyre ishin jashtë: Ahmet Zogu, Syrja Vlora, Dhimitër Mborja (Emanoil) dhe Jani Papadhopulli.

Pjesa tjetër që ndodhej në Shqipëri – 17 prej tyre u shpallen kolaboracionistë të fashizmit. Nga këta të shtatëmbëdhjetë, dy u bënë kryeministra në vitet e Luftës së Dytë Botërore (Mustafa Kruja dhe Rexhep Mitrovica), njëri u bë anëtar i Këshillit të Lartë (bashkëkryetar shteti), dy u bënë ministra (Dhimitër Berati, Eqerem Vlora).

Prej tyre, njëri u dënua me vdekje dhe u pushkatua nga regjimi komunist në 1945 (Lef Nosi), tre vdiqën në burgjet e Shqipërisë komuniste (Shefqet Daiu në 1946, Sami Vrioni në 1947, Qazim Kokoshi në 1947), njëri u arrestua nga regjimi komunist shqiptar dhe iu dorëzua serbëve, të cilët e pushkatuan në 1948 (Bedri Pejani), një u pushkatua në 1945 nga partizanët serbë në Pejë (Qerim Begolli), dy vuajtën burgimin komunist (Sherif Langu, Zihni Kanina), shtatë emigruan jashtë vendit për t’i shpëtuar persekutimit komunist (Dervish Biçaku, Dhimitër Berati, Eqerem Vlora, Mustafa Kruja, Mit’hat Frashëri, Rexhep Mitrovica). Këta të shtatë që ishin në emigracion kërkoheshin nga regjimi komunist si kriminelë lufte së bashku me një tjetër nga Etërit Themelues, Ahmet Zogun.

14 të tjerë mbajtën qëndrim neutral, por asnjë prej tyre nuk bashkëpunoj me regjimin komunist, as gjatë kohës së luftës, si pjesëmarrës në Konferencën e Pezës 1942 apo Kongresin e Përmetit 1944 dhe as pas luftës, si deputet apo ministër i qeverisë së Enver Hoxhës, ndonëse komunistët bënë shumë përpjekje që vitrinën e tyre propagandistikë për atdhedashuri ta stolisnin me ndonjërin prej tyre.

Për “fatin” e mirë të tyre, shumica e firmëtarëve vdiqën para vitit 1945.

Lista kronologjike:

1-Veli Harçi (1850-1914)

2-Dom Nikollë Kaçorri (1862-1917)

3-Bab Dud Karbunara (1842-1917)

4-Murad Toptani (1867-1918)

5-Ismail Qemal Vlora (1844-1919)

6-Xhelal Koprencka (1876-1919)

7-Pandeli Cale (1879-1923)

8-Luigj Gurakuqi (1879-1925)

9-Elmas Boce (1850-1925)

10-Sali Gjuka (1876-1925)

11-Abas Dilaver (Çelkupa) (1850 – 1926)

12-Iljaz  Vrioni (1882-1932)

13-Dhimitër Tutulani (1875-1937)

14-Vehbi  Dibra Agolli (1867-1937)

15-Myrteza Ali Struga (Dibra) (1876-1937)

16-Zyhdi Ohri (1872-1938)

17-Hajredin Cakrani (1860-1940)

18-Nuri Sojliu (1870-1940)

19-Abdi Toptani (1864-1942)

20-Xhemal Deliallisi (1880-1941)

21-Nebi Sefa (1861-1942)

22-Ymer Deliallisi (1873-1944)

23-Dhimitër Mborja Emanoil (1884-1945)

24-Dimitër Zografi (1878-1945)

25-Thanas Floqi (1884-1945)

Vdiqën pas vitit 1945:

1-Jani Minga (1872-1947)

2-Mit’hat Frashëri (1880-1949), jashtë Shqipërisë

3-Qemal Karaosmani (1875-1949)

4-Aristidh Ruçi (1875-1950)

5-Spiridon Ilo (1876-1950)

6-Mustafa Merlika Kruja (1887-1958) jashtë Shqipërisë

7-Rexhep Mitrovica (1888-1960) jashtë Shqipërisë

8-Dhimitër Berati (1888-1970) jashtë Shqipërisë

9-Qemal Mullaj (1881-1966)

U dënuan me vdekje:

1-Bedri Pejani (1885-1946)

Nënshkroi në dokument “Bedri Pejan”. U arrestua në Shkodër dhe u dërgua 1.7.1945 në Pejë. Atje u dënua me vdekje. Vdiq para se të ekzekutohej.

2-Lef Nosi (1873-1946)

Nënshkroi në dokument “Lef Nosi”. U arrestua më 8.8.1945 nga forcat komuniste në Tiranë.

U përfshi në një proces së bashku me At Anton Harapin dhe Maliq Bushatin. Gjyqi ndaj tyre u zhvillua në Tiranë më 1 – 12 shkurt 1946. Gjykata Ushtarake Tiranë, me vendimin nr.24, datë 12.2.1946, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me vdekje për aktivitetin si regjent në vitet 1943-1944.

U la në fuqi me vendimin nr.9, datë 14.2.1946 të Gjykatës së Lartë Ushtarake. U pushkatua në Tiranë më 20.2.1946.

U dënuan me burgim:

1-Qazim Kokoshi (1882-1947)

Nënshkroi në dokument “Qazim Kokoshi”. U arrestua më 19.3.1946. Ndaj tij u zhvillua një proces i parregullt gjyqësor, të cilit i mungon dispozitivi. Gjykata Ushtarake Vlorë, me vendimin nr.64, datë 23.7.1946, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me burgim. Nuk reziston gjatë dhe vdes në burgun e Vlorës në vitin 1947.

2-Shefqet Daiu (1882-1946)

Nënshkroi “Shefqet Daji”. U arrestuar me 16.2.1945 ai akuzohej për lidhje të ngushta me Ballin Kombëtar. Këshilli Gjyqësor, pranë Komandës së Qarkut Elbasan, me vendimin nr.63, datë 27.6.1945, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 30 vjet burgim. Përpara gjykatës me kërkesën e avokatit mbrojtës, i pandehuri deklaroi: “Në vitin 1912 kam qenë delegat i Elbasanit në kuvendin e Vlorës, madje kam nënshkruar aktin e pavarësisë. Në kohën e pushtimit turk unë, duke lënë karrierën në fushën e drejtësisë, jam bërë mësues i thjeshtë për t’i mësuar shqiptarëve gjuhën shqipe, duke shërbyer në Dibër”. Vdes në burg në vitin 1946.

3-Zihni Abas Kanina Hamzaraj (1885-1957)

Nënshkroi në dokument “Zihni Abbas Kanina”. U zgjodh drejtor i përgjithshëm në ministrinë e Punëve të Jashtme. Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, Kanina u bë pjesë e Ballit Kombëtar, përkrah Mit’hat Frashërit. Në vitin 1951 u arrestua dhe u burgos. Nuk ka të dhëna rreth dënimit të tij.

4-Ferit Vokopola (1887-1967)

Nënshkroi në dokument me emrin e plotë të tij. U arrestua më 20.2.1945. Gjykata Ushtarake Tiranë, me vendimin nr.166, datë 11.8.1945, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 2 vjet burgim. Lirohet më 19 shtator 1947.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com