Festat e Nëntorit, Dita e Pavarësisë dhe ajo e Çlirimit, festohen brenda vendit dhe kudo ku ka shqiptarë, nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme që nxjerrin në pah përpjekjet e paepura për liri dhe shtet formim. Nga fëmijët e kopshteve dhe shkollave, veshur kuqezi e me vjersha patriotike, e deri te parada e 28 Nëntorit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kudo shfaqet krenaria e të qenit shqiptar, nën ngjyrat e flamurit.
Por kjo ndjenjë kaq e bukur, është përjetësuar në mënyrë të mrekullueshme nga fotografia Soela Zani. Një vajzë e veshur me xhubletë, e cila po mbrohet nga UNESCO, sipër së cilës valëvitet flamuri kuq e zi, simbolizon në mënyrën më të bukur të mundshme këto festa.
“Pushimet filluan dhe festa e Pavarësisë dhe Çlirimit, po ashtu. Gëzuar këto festa kaq të bukura të cilat na tregojnë se përveçse ta duam vendin tonë, duhet të përpiqemi ta bëjmë atë më të begatë. Personalisht kudo që kam shkuar, nuk jam ndjerë më mirë se në Shqipërinē time. GEZUAR SHQIPE. Shihemi në Berlin së shpejti”, shkruan Zani në Facebook, përkrah fotos.
Soela Zani është një fotografe, e njohur në vendin tonë nëpërmjet ekspozitave të fëmijëve me Sindromën Down. Në 2015 ajo hapi ekspozitën “Unë jam një vepër arti”, në Muzeun Historik Kombëtar, ku 14 fëmijë vinin të veshur nën petkun e personazheve të njohura të artit figurativ.
Në vitin 2018 solli një projekt të dytë të titulluar “Ekuinoksi pranveror”, ku fëmijët me Sindromën Down përjetësoheshin nga objektivi, mes luleve dhe ngjyrave pranverore./Liberale.al