4741 palestinezë janë vrarë në sulmet ajrore izraelite që filluan pas sulmit të Hamasit më 7 tetor. Të dhënat e përditësuara vijnë nga Ministria Palestineze e Shëndetësisë, teksa të plagosurit janë 15898. Autoritetet e Gazës kanë bërë me dije më herët se 40 për qind e viktimave në Rripin e Gazës janë fëmijë.
Nga ana tjetër, e vështirë bëhet dhënia e kujdesit mjekësor për të plagosurit. Në Rripin e Gazës aktualisht janë dhjetë spitale që nuk janë më funksionale për shkak të mungesës së karburantit dhe sulmeve izraelite. Gjithashtu, nga bombardimet izraelite raportohet se janë shkatërruar 23 autoambulanca.
Ndërkohë, Ministria izraelite e Shëndetësisë thotë se 5,431 persona janë plagosur në Izrael që nga fillimi i luftës. Aktualisht, thotë ministria, 302 persona janë të shtruar në spital me lëndime, nga të cilët 43 të plagosur rëndë, 172 të lënduar mesatarisht dhe 87 të lënduar lehtë.