Presidenti i Institutit Liberal” Pashko”, Preç Zogaj i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, komentoi deklaratat e kryeministrit Edi Rama si dhe kaosin e krijuar në Kuvend.
Në lidhje me deklaratën e Ramës, i cili tha se “nuk negocioj me non gratat”, në analizën e tij Zogaj theksoi se nuk bëhet fjalë për negociatë as me “non grata”, as me jo “non grata”, por për gjetjen e një zgjidhjeje.
“Nuk mund të vazhdohet pa fund me këtë ngërç. Komisionet hetimore janë një e drejtë kushtetuese e një të katërtës së deputetëve. Hetimi parlamentar është instrumenti i opozitës për të përmbushur kontrollin e qeverisë. As kushtetuta, as ligji nuk venë ndonjë kusht se kush mund ta ushtrojë e kush jo këtë të drejtë. Deputetët – ky është kushti i vetëm. Rama ngatërron të drejtat kushtetuese me sanksionimin dhe spekulon me këtë. Le të mos negociojë me Berishën, por nuk mund t’i trajtojë gjithë deputetët e Rithemelimit si të sanksionuar. Kam folur më shumë se Rama për “ non gratën” – u shpreh Zogaj, duke shtuar se edhe në këtë pikë kryeministri është i pasinqertë. Zogaj shtoi se Rama e ka normalizuar bashkëpunimin me ‘non gratat’ e tij.
“Është në koalicion me PSD që drejtohet nga Doshi. Ka larguar Rakipin dhe ka marrë të birin. E njëjta gjë deri ditën e arrestimit edhe me Dakon. Ky lloj “normalizimi” ka ndikuar që disa deputetë të distancuar nga Berisha kur ky u shpall non grata të afrohen me të me kalimin e kohës. Është një zhvillim që thërret në kauzë për tu rishprehur përfaqësuesit e qeverisë amerikane në Shqipëri, në fakt”, theksoi Zogaj.
Në analizën e tij, Zogaj u ndal ndërkohë te qëndrimet e ndërkombëtarëve, si SHBA, BE dhe Britania, ku tha se nuk sheh ndonjë reflektim nga kryeministri Edi Rama.
“Në deklaratat e sotme të Ramës nuk shihet të ketë ndonjë reflektim në lidhje me qëndrimet që kanë mbajtur SHBA, BE dhe Britania e Madhe për ngërçin parlamentar, ku kërkojnë dialog dhe kthim në normalitet. I takon qeverisë të hedhë hapin e parë. Ti hapë rrugë kërkesës së parë të opozitës, pastaj së dytës, e kështu me radhë.”
“Sepse nuk mund të jenë të gjitha kërkesat me bisht, me shkelje. Komisioni për konçensionet në shëndetësi, për shembull, duket ashiqare se nuk ka shkelje të Kushtetutës. Edhe SPAK është shprehur se nuk ka asnjë problem me paralelizmin në hetim, pasi janë hetime të ndryshme. Konteksti politik i brendshëm dhe ai ndërkombëtar diktojnë fleksibilitet, shmangie të tensioneve të kërkuara. Qeveria duket të jetë më e interesuara për këtë”.
Sa i takon efektit të rrugës që po ndjekin deputetët e Rithemelimit në Kuvend duke e bllokuar atë, Zogaj u shpreh skeptik.
“E para, sepse kjo opozitë e ka kompromentuar ndër vite radikalizmin duke e shpërdoruar. Të njëjtat metoda, e njëjta retorikë. E dyta sepse sado të përpiqen, nuk rindajnë dot protestat për komisionet nga beteja e egër që Berisha iu ka shpallur SPAK-ut dhe drejtësisë pas ngritjes se akuzave kundër tij për aferën e ish klubit “Partizani”. Edhe në planin praktik nuk kanë arritur gjë, sepse shumica i ka miratuar ligjet e veta. Madje pa kritikë, pa opozitë-Rithemelimi ka penguar edhe PD-në zyrtare dhe deputetët të tjerë opozitarë ti bëjnë kriticizmin buxhetit, fjala vjen. Shoh se janë të kënaqur me jehonën në shtypin botëror. Tymi, zjarri, protestat, ekseset në parlament janë kudo gjahu i preferuar i shtypit. Si e themi ne në gazetari: lajm është kur qeni ha njeriun dhe jo anasjelltas. Dua të them se në lidhje me komisionet, opozita duket te gjejë rrugën të zhbllokojë së paku dy tre të parët. Duken shteruar rrugët ligjore gjithashtu. Përndryshe i bie të ngopësh me lugë bosh”.
Zogaj komentoi edhe deklaratën e Ramës se nuk pranon komisione hetimore mbi thashetheme.
“Këto janë batuta, retorikë, vlerësime subjektive”, tha ai.
“Rama duhet t’i tregojë publikut ku është konkretisht shkelja e kushtetutës, ku janë bishtat antikushtetues të kërkesave. Në të kundërtën, duke e mbajtur këtë debat në nivel retorik, do të duhet të mendojnë se kryeministri pëlqen ta ushqejë radikalizmin e Rithemelimit me intrasgjencën e tij dhe të gjithë janë në rregull, pse jo të kënaqur: edhe ata që protestojnë që të dëgjojë SPAK-u, edhe ata që miratojnë ligje pa asnjë lloj oponence”, tha Zogaj.