Kryetari i PD-së, Lulzim Basha i është përgjigjur deklaratës së kryeministrit Edi Rama, në lidhje me Reformën Zgjedhore.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Basha shprehet se Rama u shfaq për të mbrojtur korrupsionin që nis nga zyra e tij dhe për t’i bërë presion drejtësisë. Më tej shton se kreu i qeverisë kërkon të mbaj në këmbë marrëveshjen e 2008-ës.
“Sot Edi Rama u shfaq sërish për të mbrojtur korrupsionin që nis nga zyra e tij. Atë që ka bërë me Saimir Tahirin, Vangjush Dakon, Elvis Roshin e dhjetra të tjerë, sot e bëri me Ilir Beqajn. Edi Rama sot u mundua të shantazhojë drejtësinë duke marrë në mbrojtje aferën korruptive të sterilizimit, siç ka bërë edhe me inceneratorët. Një përpjekje e dëshpëruar për t’i bërë presion drejtësisë.
Sa i përket Reformës Zgjedhore, është tashmë e ditur se Rama është një nga njerëzit më të interesuar që të mos ketë ndryshim të sistemit zgjedhor në Shqipëri, për të mbajtur fort në këmbë marrëveshjen e 2008-ës, që u mohon shqiptarëve të drejtën për të zgjedhur deputetët që duan.
Edi Rama nuk e ka fshehur dhe nuk e fsheh se kë do në krye të opozitës, këtë e dëshmoi edhe sot. Por shqiptarët e kanë të qartë se teatri i Parlamentit është vetëm fasada e interesave të përbashkëta Rama-Berisha”, ka deklaruar Basha.