I hyri në banesë dhe i mori 13 milionë lekë, 65-vjeçarja: Më tha të paskan bërë magji, nuk mbaj mend çfarë ndodhi më

Detaje të reja janë mësuar nga grabitja e një banese mesditën e së mërkurës, në fshatin Zhamë të Lushnjës, ku u vodhën13 milionë lekë të vjetra. Autorja dyshohet se është një femër, e cila i ka hedhur një substancë për të përgjumur pronaren e shtëpisë dhe më pas ka marrë paratë.

Jalldize Ibraliu, 65 vjeçe është invalidë dhe tregon se autorja i ka hyrë në oborrin e shtëpisë duke iu prezantuar si qytetare nga Tetova. Ajo i ka kërkuar ujë dhe më pas i ka thënë se i kanë bërë magji. Prej atij momenti, gruaja nuk mban mend se çfarë ka ndodhur.

Nga ora 12 kur ndodhi ngjarja deri në orën 20 të mbrëmjes 65-vjeçarja ka qenë pa ndjenja brenda shtëpisë. I zoti i shtëpisë Arif Ibraliu tregon se kur ka mbërritur në shtëpi ka parë se kutia ku ndodheshin paratë ishte bosh.

Në një prononcim për median, 65-vjeçarja ka treguar gjithë bisedën me të huajën që u shfaq papritur në banesën e saj.

“Isha tek karrigia. Hyri tek porta. Po vij nga Tetova dua pak ujë. Erdhi u afrua dhe doli në diell ku ishin fshesat. Më thanë ty të paskan bërë magji. Burrit tënd i kanë bërë magji. Nuk mbaj mend çfarë më ka bërë”, thotë ajo.

Policia e Lushnjës ka nisur hetimet për grabitjen dhe ka sekuestruar pamjet e marra nga një shtëpi private, ku duket teksa makina e autores së ngjarjes ndalon dhe më pas ajo personalisht i afrohet banesës ku ndodhej e moshuara.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com