Libri i ri për Fan Nolin shet kopjen e fundit në Panairin e Librit

Një sukses i padiskutueshëm mund të quhet botimi më i fundit i i UET-PRESS i librit biografik të Ilir Ikonomit, ‘Apostulli’, dedikuar Fan Nolit. Libri i tij shiti 1 mijë kopje në kohë rekord gjatë katër ditëve të para të panairit. E ndërsa panairi mbyllet sot, “Apostulli” shiti të shtunën kopjen e fundit nga publikimi i parë.

‘Apostulli’ është libri i parë i një biografie të re për Fan Nolin me autor studiuesin dhe publicistin Ilir Ikonomi, ish-gazetar i Zërit të Amerikës, i cili premton për një seri me tre vëllime. Vëllimi i dytë dedikuar njërit prej personaliteteve më të shquara të vendit tonë do të publikohet vitin që vjen, në 100 vjetorin e ‘Revolucionit të Qershorit’, të cilin siç dihet e udhëhoqi Noli.

Vëllimi prej 430 faqesh, botim i UET Press, u promovua pak ditë para Panairit të Librit në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës, ku i pranishëm ishte edhe vetë kryeministri i vendit, Edi Rama.

Kryeministri Rama pasi siguroi një kopje nga autori, përmes rrjeteve sociale njoftoi daljen në treg të librit të shkruar për Nolin. Sipas Ramës, ky libër është maja e munguar në malin e letrave të shkruara për Fan Nolin.
“Më në fund edhe maja e munguar në malin e letrave të shkruara për Fan Nolin, shfaqet me vëllimin e parë të ustait të madh të librave biografikë, Ilir Konomi. Çfarë kënaqësie e posaçme. Faleminderit”, thekson Rama, në reagimin e tij.

Sapo doli në treg, libri tërhoqi vëmendje të menjëhershme nga studiues, adhurues të librit e të Nolit në veçanti, si dhe nga politikanë të shumtë. Dhe pritej të kishte sukses, por suksesi duket se kapërceu çdo pritshmëri.

Ashtu si në botimet e tjera, siç janë librat biografikë për Faik Konicën, Ismail Qemalin dhe Esat pashë Toptanin, Ikonomi e ndërton rrëfimin me fakte dhe shembuj konkretë. I qëndron larg asaj që praktikojnë disa autorë, të cilët duke mos patur fakte dhe dëshmi, priren të mbushin faqe të tëra me filozofime pa kuptim dhe janë të prirur kryesisht nga pasioni. Në këtë libër të Ikonomit, jeta e Nolit jepet e lidhur ngushtë me sfondin historik të Shqipërisë.

Libri “Apostulli” i Ilir Ikonomit përshkruan Fan Stilian Nolin në periudhën që fillon nga arritja e tij në Amerikë më 1906 e deri në vitin 1920, kur kthehet për në Shqipëri.

Ikonomi përmend kontributin e Nolit me themelimin e Kishës Shqipe, Shoqërisë “Besa-Besën”, gazetës “Dielli” dhe Federatës “Vatra”. Për të shkruar librin autori zbuloi se ka bërë kërkime në shumë arkiva e biblioteka dhe jam këshilluar me historianë e specialistë të tjerë.

Ikonomi me mjeshtëri dhe një përshkrim realist dhe me ngjyra të gjalla të Fan Stilian Nolit, në periudhën që fillon me mbërritjen e tij të parë në SHBA, në vitin 1906 dhe mbaron në vitin 1920, kur ai u largua për të nisur misionin politik në Shqipëri. Ikonomi ka përdorur një fond të gjerë të dhënash historike, që përfshin Arkivin Qendror të Shqipërisë, Arkivin Kombëtar Amerikan, Arkivin e Ministrisë së Jashtme Austriake, dhe disa burime të tjera dokumentare.

Koha që pasqyron ky vëllim nuk ishte aspak një fushë e gjelbër pikniku, por një shesh beteje, ku Noli jo domosdo gëzonte mbështetjen e të gjithëve. “Jam përpjekur që lexuesi të mos e shijojë librin si një fotografi, por si një film, ku personazhet debatojnë, përplasen, rrëzohen e ringrihen” shprehet mes të tjerash Ikonomi në promocimin e librit.

Fan Noli jepet në libër si një figurë në rritje, që i duhej të ndeshej me kundërshtarë, shpesh të pamëshirshëm.

Libri lexohet pa e ndalur frymën. Apostulli të tërheq me ritmin dhe shtjellimin e episodeve në trajtën e një rrëfimi të gjallë, me talent nga Ilir Ikonomi dedikuar një prej gjenive të rrallë të kombit shqiptar.

Prandaj edhe nuk mund të ndodhte ndryshe në suksesin e këtij libri, që lexuesi dukej aq i etur saqë shiti 1000 kopje për pak ditë, të fundit një ditë para se të mbyllej Panairi i Librit.

Libri ka një parathënie të shkruar nga historiani i mirënjohur amerikan Bernd Fischer, është i pajisur me shënime në fund të faqeve, me fotografi dhe me një tregues emrash. Ballina është punuar nga Besnik Frashni dhe është një tjetër botim i suksesshëm nga UET Press.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com