Ish-prokurori Eugen Beci shpjegoi në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” arsyet e jetëgjatësisë së aktivitetit të grupit kriminal të Bajrajve në zonën e Shkodrës. Beci tha se operacioni “Metamorfoza” ishte aksioni i parë i policisë që goditi këtë grup që nga krijimi i tij.
Është një grup që nga viti 2000 ka qenë aktiv në veprimtarinë kriminale. Edhe goditja që iu bë me Metamorfozën është shumë e rëndësishme. Në tërë Shqipërinë janë ndërruar disa herë duart e krimit, kurse në Shkodër ky grup merrte fuqi nga organizimi që i bënte vetes, lidhjet e gjakut dhe jo ato shoqërore mes pjesëtarëve. Pjesë e tij ishin përfaqësues të policisë, prokurorisë, biznesit të lidhur me politikën.