Prokuroria Speciale e Kosovës ka kryer aksione në disa lokacione në komunat veriore të Kosovës, ku janë arrestuar nëntë zyrtarë të Doganës dhe një polic, sipas Koha.net.
“Aksioni është duke u zhvilluar ne urdhër të Prokurorisë Speciale, për veprat penale ‘Korrupsioni, marrje ryshfeti dhe shpërdorim të detyrës zyrtare’”, kanë thënë nga Prokuroria.
Ndërkaq, zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, tha për Radion Evropa e Lirë se në veri të Mitrovicës ka përfunduar aksioni.
“Kemi asistuar Doganën [e Kosovës] sot në bastisje në veri të Mitrovicës. Operacioni ka përfunduar”, tha shkurt Elshani.
Kjo nuk është hera e parë që autoritetet kryejnë aksion në Doganat e Kosovës për të luftuar veprat penale që lidhen me marrje ryshfeti dhe shpërdorim të detyrës zyrtare.
Në mars të vitit 2022, ishin arrestuar dhjetëra policë dhe doganierë nën dyshimet për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Aksioni atëbotë ishte kryer në Gjakovë dhe Prizren dhe zyrtarët e arrestuar ishin dyshuar për pjesëmarrje në qindra aktivitete të marrjes së ryshfetit në pikat kufitare të Qafë Prushit dhe Qafë Morinës, që lidhin Kosovën dhe Shqipërinë.
Ndryshe, në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – autoritetet viteve të fundit kanë mbyllur disa rrugë ilegale që janë përdorur për të kontrabanduar mallra nga Serbia.