Instituti Ndërkombëtar Republikan ka publikuar Anketën Kombëtare për Shqipërinë për drejtësinë, partitë politikë, qeverinë dhe liderët. Në të dhënat e nxjerra nga 1200 të anketuarve spikat një mbështetje e lartë e qytetarëve për SPAK-un, 76% e tyre, i cili vazhdon të mbetet institucioni më i besueshëm në vend.
Shumica e të anketuarve presin më shumë hetime dhe ndëshkime të politikanëve të korruptuar, për shkak se korrupsioni është për ta një ndër shqetësimet kryesore. Ndërkohë 51% e tyre pohuan se nuk do të mbështesin në zgjedhje ato parti, që përkrahin ligje për të kufizuar punën e SPAK-ut.
Kjo ishte një nga çështjet e diskutuara këtë mbrëmje në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN. Analisti Lorenc Vangjeli u shpreh se ky është një perceptim që vazhdon prej gati dy vitesh në Shqipëri nga qytetarët, duke e besuar SPAK-un si institucionin më të besueshëm në vend.
“Kjo është një shifër që përputhet me një perceptim të përgjithshëm që e kanë të gjithë shqiptarët që SPAK-u ka një mbështetje të cilësuar, por edhe nga një sërë sondazhesh pa asnjë lidhje me njëri tjetrin. Trendi është ky dhe besoj është i pagabueshëm.
Pra, që SPAK-u, prej më së paku 2 vjetësh është ngjitur si institucioni më i besueshëm në sytë e njerëzve. Premtimi i madh që është bërë në 2015-2016 ishte që do të merrte fund pandëshkueshmëria. Kjo ishte karamelja e hidhur që i jepej një publiku për atë që i mungonte, deri në atë moment ishte ndeshur me pandëshkueshmërinë dhe këtu shkonte në të njëjtën linjë”, tha Vangjeli.