Panairi i Punës që është çelur sot në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, ka sjellë rreth 70 kompanitë më të mëdha të biznesit pranë studentëve, duke u ofruar atyre mundësi punësimi.
I pranishëm në këtë aktivitet, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, e vlerësoi panairin, si një mundësi shumë të mirë bashkëpunimi mes biznesit dhe studentëve për zhvillimin e tregut të punës.
“Sfida jonë nëse ne duam të kemi rezultate për një mirëqenie më të mirë të qytetarëve dhe përparimin e vendit, është padyshim bashkëpunimi mes biznesit, universitetit, qeverisë dhe bashkisë, pasi kështu mund të adresojnë sfidat dhe përmes bashkëpunimit parashtrojmë zgjidhjet”, tha Gonxhja.
Sipas tij, tregu i punës në aftësim profesional, tregu i arsimit të lartë, publik apo privat duhet të jenë bashkë me forcë investimi dhe energji, për të gjitha sfidat.
“Ne do të bëjmë çmos të rrisim pagat, si një instrument i rëndësishëm që sjellin rritje të konsumit dhe të ekonomisë. Ne do të bëjmë këtë vit një reformë të plotë të pensioneve, si një faktor motivues për të gjithë ata që bëjnë një plan angazhimi për t’u punësuar”, tha ministri Gonxhja.
Ai u ndal në një risi tjetër që ka ndërmarrë qeveria për zhvillimin e zonave të lira ekonomike, si katalizator të investimeve që nxisin biznesin dhe punësimin.
“Kemi për të bërë shumë për ekonominë kreative sepse janë shumë të rëndësishme për të tregun e punës apo ekonominë në përgjithësi. Zonat e lira ekonomike TEDA, DURANA janë një tjetër gjenerator i zhvillimit ekonomik që ne po bëjmë. Kishin mbi 10 vite për këto zona që nuk shkonin në licencim, më në fund i mbyllëm dy zonat e para. Janë gati 100 ha që do të jenë në dispozicion të një tjetër zhvillimi si katalizator ekonomik. Po punojmë shumë për digjitalizimin apo programe të mbështetjes për qytetarët me synimin që ata të zgjedhin të investojnë në vendin e tyre. Pra me objektin mbrojtjen e kapitalit njerëzor në vendin tonë duke i përmirësuar mirëqenien e jetesës për shërbimet bazike, përmes investimeve që po ndërmarrim në këtë drejtim”, tha Gonxhja.
Gonxhja bëri të ditur se në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ka 126 vende të lira pune.
Ai ftoi të rinjtë studentë të aplikojnë në faqen e DAP për vendet vakante në MEKI, teksa garantoi mbështetje për integrimin e e të rinjve në tregun e punës.
/a.r