63-vjeçari i dha fund jetës me fotoksinë, Avokati i Popullit për ngjarjen e rëndë në dyert e SPAK: Të rishikohen praktikat e dhënies së mikrokredive

Duke marrë shkas nga ngjarja tragjike e ndodhur në dyert e SPAK, ku Pal Trashaj i dha fund jetës me fostoksinë, Avokati i Popullit bën thirrje për një rishikim të praktikave të dhënies së mikrokredive.

Me anë të një reagimi në rrjetet sociale, Avokati i Popullit shkruan se kjo ngjarje e rëndë ku mbeti viktimë një 63-vjeçar, nuk duhet të lihet në harresë. Sipas tyre, qytetarëve do duhet t’i jepet një zgjidhje, për këto probleme që kanë prekur jo pak qytetarë.

“Një ngjarje e rëndë u shënua disa ditë më parë, pranë Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku Pal Trashaj, 63 vjeç, në gjendje të rëndë psikologjike për shkak të problemeve të tij me mikrokreditë, ndërroi jetë pasi piu fostoksinë.

Pavarësisht vendit ku ndodhi akti tragjik, ngjarja nuk duhet të humbasë fokusin. Është thelbësore të kuptohet se nevoja e personit për të adresuar situatën e tij duhet të gjejë zgjidhje duke trajtuar shkaqet e problemit, në mënyrë që fenomene të tilla të mos përsëriten. Edhe pse SPAK nuk është institucioni përgjegjës për këtë problematikë, është e rëndësishme që qytetarët të mos ndihen të pafuqishëm në adresimin e shqetësimeve të tyre.

Për më tepër, në marrjen e mikrokredive duhet të jenë të qarta rreziqet e tyre, duke ofruar informacion të plotë dhe mbështetje për të parandaluar situata të ngjashme. Ngjarja bëhet edhe më e trishtë duke marrë në konsideratë kalvarin e përpjekjeve të tij për të kërkuar drejtësi, derisa u dorëzua për shkak se nuk gjeti zgjidhje dhe ndërmori këtë akt të rëndë.

Ky rast tragjik nxjerr në pah jo vetëm vulnerabilitetin e qytetarëve ndaj sistemeve të kredive të vogla, por edhe papërshtatshmërinë e masave që nuk trajtojnë problemin në thelb dhe në origjinë. Avokati i Popullit ndonëse nuk ka mandat për trajtimin e ankesave në sektorin privat, ka ushtruar presion pozitiv për zbatimin e drejtë dhe të ndershëm të procedurave përmbarimore.

Gjithashtu Avokati i Popullit bën thirrje për një rishikim të praktikave të mikrokredive dhe përforcimin e mekanizmave mbrojtës për të parandaluar raste të tilla në të ardhmen”, thuhet në njoftim.

Pal Trashaj humbi jetën mëngjesin e së mërkurës, një ditë pasi piu fostoksinë përpara ambienteve të Prokurorisë së Posaçme. Sipas familjarëve i kishin marrë pasurinë përmbaruesit që punojnë për kompanitë e mikrokredive.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com