Duke filluar nga sot, bashkitë në Ballkanin Perëndimor mund të aplikojnë për të përfituar nga nisma WiFi4WB (Wi-Fi për Ballkanin Perëndimor), e cila do të ofrojë hotspote Wi-Fi falas për deri në 500 bashki në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Bashkimi Europian njofton se afati i fundit i aplikimit do të jetë 28 prilli 2025.
Pikat e aksesit Wi-Fi do të instalohen në hapësira publike si sheshe, parqe, biblioteka, muze dhe shkolla, duke ofruar akses falas dhe të qëndrueshëm në internet për banorët dhe vizitorët.
Bashkitë pjesëmarrëse do të marrin mbështetje gjithëpërfshirëse, duke përfshirë furnizimin dhe instalimin e pajisjeve Wi-Fi, shërbimin e internetit dhe mirëmbajtjen. Në këmbim, bashkive u kërkohet të angazhohen për ruajtjen e shërbimit përtej periudhës fillestare të financimit, duke siguruar qëndrueshmëri dhe ndikim afatgjatë.
Thirrja publike është e hapur për të gjitha bashkitë nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, dhe aplikimet duhen paraqitur nga kryetari i bashkisë, një zyrtar i punësuar nga bashkia ose një anëtar i këshillit bashkiak.
Wifi4WB është pjesë e Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe e vë theksit te transformimi digjital si një shtytës kyç për integrimin rajonal. Programi synon të kapërcejë ndarjen digjitale, të nxisë mundësitë ekonomike dhe të fuqizojë komunitetet vendore duke siguruar qasje universale në internet.