400 mjekë e infermierë të punësuar në dy muaj, Koçiu: Së shpejti urgjenca e QSUT në normalitet

Në dy muajt e parë të këtij viti sipas Ministrisë së Shëndetësisë në të gjithë vendin janë punësuar rreth 400 mjekë dhe infermierë. Ne takuam dy prej tyre të cilëve e shohin të ardhmen në sistemin shëndetësor shqiptar, e njëkohësisht të njëjtën gjë ua sugjerojnë edhe kolegëve të tyre.

Eneda Qefalia (infermiere në Elbasan): Jam punësuar së fundmi në spitalin rajonal të Elbasanit. Unë mendoj që duhet ta vlerësojmë më shumë vendin tonë sepse jep mundësi.

Joni Mreca (Mjek i Përgjithshëm në Shkodër): Studimet i kam përfunduar në Turqi, por për t’i shërbyer vendit tim vendosa të kthehem në Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Shkodër nr.1. Asnjë vend s’është si vendi jot, sado kushtet e mira ekonomike apo ana profesionale, afërsia me familjen e komunitetin tënd është shumë më ndryshe.

Nga ana tjetër ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu u shpreh se gjatë 4 viteve të fundit janë punësuar rreth 6 mijë specialistë nga bluzat e bardha.

Albana Koçiu (Ministre e Shëndetësisë): 1300 janë mjekë dhe pjesa tjetër infermierë të shkencave të ndryshme si imazheristë, fizioterapistë e të tjerë.

Teksa pak ditë më parë Prokuroria ka nisur hetimet për përgjegjësit e zjarrit në QSUT, ministrja Koçiu theksoi se shërbimi po ofrohet në disa spitale të tjera, por dhe struktura e urgjencës po rehabilitohet për t’ju rikthyer normalitet.

Albana Koçiu (Ministre e Shëndetësisë): Shërbimi shëndetësor është duke u ofruar edhe në strukturat e tjera universitare, nuk po mungon në asnjë moment. Struktura që është dëmtuar si pasojë e incidentit është duke u rehabilituar dhe do përfundojë shumë shpejt për t’u kthyer në normalitet.

Për të shmangur çdo paqartësi të qytetarëve që kanë nevojë për marrjen e shërbimit, Urgjenca Kombëtare i orienton atë se në cilin spital duhet të drejtohen për ekzaminimet përkatëse.

/f.s

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com