33-vjetori i themelimit/ Rexhep Uka: Partia demokratike sot është udhërrëfyese për të ecur përpara, kemi qenë dhe jemi e

Themeluesi i PD, Rexhep Uka ka hapur sot festën e 33 vjetorit të Partisë Demokratike, festë që po mbahet në ambjentet e Pallatit të Kongreseve.

Uka ndër të tjera shprehet se slogani i Sali Berishës ”Shqipëria në rrezik”, është si temë doktorature e ish-dikatorit Enver Hoxha.

Ndër të tjera teksa foli mbi të ardhmen e së djathtës dhe veçanërisht të Partisë Demokratike që është e orientuar nga euroantlatizmi, Uka tha se PD sot duhet ta kthejë në përvojë kalvarin e këtyre viteve sepse ndryshe do ripërsëritenmi.

Fjala e plotë e Rexhep Ukës

VARIANTI DISKUTIM

NDRYSHIMI NUK NDALET

SHQIPËRIA NË KËRKIM TË OPOZITËS SË VËRTETË

I nderuar kryetar,  Zoti Lulzim Basha!

Të nderuara zonja!

Të nderuar zotrinj!

Së pari, një falenderim të sinqertë zemre për këtë privilegj që më bëhet për të përshëndetur këtë përvjetor, me plot bindje se, jo vetëm jashtë kësaj salle, por edhe këtu midis jush, kjo fjalë do t’i takonte kujtdo tjetër para meje. Mendimi ndryshe dhe alternativa konstruktive ka qenë kontributi im më i madh, por shumë modest, si pjesë integrale e asaj partie, që në ditën e themelimit të saj. Ju falemnderit!

Kënaqësi e madhe që jemi së bashku, ndjesi e veçantë kjo, fllad Dhjetori, plot shpresë, kjo datë do të mbetet si dita kur shpresa, e cila kurrë nuk humb, u rilind! Si një magji, ëndrra e lirisë ishte strehuar në zemrën e çdo shqiptari. Ishte një lëvizje studentore e papërballueshme, pa kthim mbrapa, që do të mposhtte dhe rrëzonte një diktaturë komuniste të vetme në llojin e saj.

Lëvizja pati martirët e saj.

I pavdekshëm qoftë kujtimi i tyre!!

Ata fillimisht ishin pak, shumë pak, pa numra, pa vulë, por me ideale, frymë, mision, vizion, kauzë. Virtute njerëzore këto, që do të gjenin mbështetjen mbarëpopullore pa fund (përveç pushtetmbajtësve). Ata, bashkë me intelektualë, pedagogë e përkrahës pa fund, e konkretizuan këtë lëvizje me themelimin e PARTISË DEMOKRATIKE më 12 dhjetor 1990, si partia më pluraliste që ka patur e do të ketë Shqipëria ndonjëherë!! Në 22 mars 1990, PD vjen në pushtet, populli i kishte dhënë votbesimin me 66% të vendeve në kuvendin kombëtar.

Nuk mund të rri pa kujtuar një thënie lapidar të një prej miqve më të mëdhenj të Shqipërisë, atë të presidentit amerikan Woodrow Wilson: “Historia e lirisë, është historia e kufizimit të pushtetit të qeverisjes, jo rritja e tij”. Reformat e PD-së, jo vetëm në qeverisje, por gjatë gjithë jetës demokratike të vendit tonë, historia nuk do të mundë kurrë t’i mohojë e as t’i harrojë, po aq edhe gabimet, deri në faje.

Zhgënjimi nga një qeverisje është gjëja më e zakonshme në historinë e politikës mbarëbotrore, por humbja e besimit tek opozita është vrasje e shpresës! Ndaj, edhe njëherë, fort uroj për rikthimin e shpresës dhe lavdisë së dikurshme të PD-së!

Në PD, që nga dita e parë, pashë të drejtohemi në sistem me metoda komuniste, çdo ditë e pashë atë parti duke iu larguar të djathtës… Arsyeja më e thjeshtë kjo, që Shqipëria vetëm të djathtën ende nuk e ka provuar. Por kurrë vetë nuk jam bindur se ikja nga beteja për mbrojtjen e kauzës, ishte rruga më e drejtë, edhe pse ambicjet e mija për karierë politike ishin zero. Mbase personalisht do të ishte më komode. Pareshtur në çdo aktiv, forum e kohë, kam mbrojtur të vërtetën e madhe se “kjo parti lindi në këmbë nga një lëvizje studentore dhe ende nuk është ulur”!! Në këtë gjendje mbeti një parti demokratike në tentativë, e cila i ngjante një granate që i ishte hequr siguresa dhe kur shpërtheu, pati shumë viktima…

Sot, gjithkush, në analizën e vet, ka një qasje për gjendjen nëse jemi, dhe nëse po, pse jemi në krizë! Ajo çka po përjetojmë sot, në këndvështrimin tim, nuk është aspak befasi. Partia e parë antikomuniste kishte kohë që brenda saj ishte ndalur mendimi ndryshe, ngjarjet e sotme janë më dëshmitare se çdo argument tjetër për të kuptuar se çfarë vlonte nën presion brenda familjes demokratike. A do të mund të vazhdohej më gjatë, me gojë mbyllur, kur paska pasë kaq shumë gjëra për të thënë? Pse nuk u thanë kur mburreshim se ishim demokratë? Pse u la deri në kacafytje ndër veti? Paska qenë dashtë që edhe pas 50 vitesh të riprovonim monizmin? Dhe e pamë!! Por dëmi mori përmasa tepër të mëdha e po aq të pakorigjueshme!!

Kriza nuk ka filluar sot, as dje, as në 1996-ën, 1997-ën, por shumë më herët, edhe para referendumit për kushtetutën… Por, pas humbjes së këtij të fundit, vetëm u deklarua sheshit: “Shkurt, përgjegjësit e vërtetë të humbjes realizuan gjuetinë e shtrigave, fushatën e shfajsimit të tyre dhe ‘fabrikimit’ të “fajtorëve.” Më pas kjo polli 96-ën, 97-ën. Më tej filluan partiçkat nga “centrifugale” të cilat pas një rrugëtimi “efemeroid” gjysëm-ciklik, me një emër ‘metis’ u rikthyen në “centripete”, me telekomandën e “pronarit të dronit”!

Sot, nuk mund t’i kuptoj ata që thonë se PD-ja është atje ku janë më shumë. Kush i numëroi, si i numëroi, si në 96-ën? Jo, PD-ja e vërtetë e njohur ligjërisht më datën 12 dhjetor 1990 është atje ku është kauza, misioni, ëndrrat e studentëve të Dhjetorit dhe gjithë demokratëve të Shqipërisë.

Po, ne jemi dëshmitarë, edhe gjithkush me minimumin e kulturës ka mësuar që politika është një resurs i paimagjinueshëm, i pakrahasueshëm kur është shërbim, dhe shërbimi numër një, është shteti i së drejtës, ligji i barabartë për të gjithë, kjo është detyra dhe funksioni më i lartë i një qeverisjeje, kush di sekret e magji tjetër, është i lirë, ta provojë! Në substancë, në një vend demokratik ku pluralizmi dhe parlamentarizmi funksionojnë normalisht, opozita është dora e fortë e qeverisjes, ndërsa qeveria ekzekuton dhe menaxhon programin të cilin e ka premtuar dhe miratuar në kuvend. Një opozitë vepron si duke vepruar, ashtu edhe duke munguar, për mos të thënë edhe duke ndihmuar pozitën. Kur dhuna pushton dhe dhunon karriket e deleguara për ‘fjalën e mënçur”, ata që të kanë zgjedhë i ke humbë për të mos t’u kthyer më, njëherësh ata që don t’i rrëzosh, veç i fuqizon.

Kur e mësyn pushtetin vetëm me qëllimin e marrjes së tij, mbasi ke humbur misionin dhe kauzën, nëse një herë të vetme e ke pasë, veç vërteton se nuk ke mundur asnjëherë të kthesh kulturën në përgjithësi dhe aq më pak atë demokratike në edukatë dhe metodë pune e drejtimi, në veçanti. Pas kësaj gjithkush e mendon se për çfarë është votuar dhe për kë tjetër shërben… E mandej, no comment!!

Nëse një pozitë që ka një situatë të tillë, në mungesë të opozitës, mund të mbretërojë gjatë, por do qeverisë keq e më keq, të tillë do të ketë edhe fundin, për mos të thënë fjalë më të rëndë. Roma ra nga brenda, nga degjenerimi dhe korrupsioni, pasi sundoi gjatë…!! Jetojmë në një epokë kur ëndërrojmë, hamë premtime, shohim çdo natë në media horror me vrasës e viktima dhe ne që rrijmë e vështrojmë… Ajo më groteskja është se vetë pozita bën sikur kërkon opozitë: “më thoni ku jeni, kë të quaj, si t’ju numëroj?! Sigurisht kjo është me diabolikja, shantazhuesja, sepse kjo statusquo është në pamje më komodja për të. Në fakt, për ne ‘pluralistkërkuesit’ dhe protestuesit e parë, kjo nuk qëndron! A e realizuam premtimin e thirrjes së shpirtit: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”? Nuk ma ha mendja, se ata që e hodhën në sheshin e demokracisë e kanë penguar dhe janë kundër, ose e kanë vonuar integrimin në Europë.

Jemi ‘droguar’ me politikën e mbrapshtë, çdo ditë prodhojmë vetëm kaos, dhunë, shantazh, mashtrim.  Shoqëria është shëndërruar nga ajo e tollonit në polarizim të skajshëm, kur ndryshimi fizik material është marramendës, ky në sajë të energjisë mahnitëse të një populli ambicioz madje, duke patur shtetin kundra, mosndëshkushmëri, panik, dhe aspak zhvillim, se zhvillim do të ishte kur truri shqiptar tashmë në emigracion, energjia fizike, rinia në lule të saj, kanë marrë rrugët e kurbetit, kur duhet të ishte, sipas premtimeve tona, duke investuar potencialet e veta në vendin e vet, pranë prindërve dhe të parëve që sakrifikuan gjithçka për një jetë më të mirë. Qytetarët kërkojnë të fitojë dhe mbretërojë drejtësia, të shpëtojmë nga “njeriu i ri socialist” i djeshëm, kjo “specie” që sot në demokraci u shndërrua në “frankenshtajn” u çertifikua me dipllomën “i forti”. Kjo specie ka kapur pushtetin dhe kapluar të vobektin. Sepse partitë i kthyem në biznes, biznes politik, në filozofi, mënyrë jetese, duke bërë aksionerë, duke vrarë meritën, vlerën, djersën dhe gjithçka që na patën mësuar që është e mirë…

 

PD-ja sot, kjo ku ndodhemi në këtë tubim, duhet të dijë ta kthejë në përvojë kalvarin e këtyre viteve, ta konsiderojë si pasuri dhe udhërrëfyes për të ecur përpara. Nëse nuk do të dimë ta përdorim, të jemi të bindur se  ‘do të ripërsëritemi’!!!

De facto, gjithnjë, kemi qenë dhe jemi europianë, sot edhe të lirë për të qarkulluar, por ende të pa “celebruar”. Integrimi nuk mund të realizohet me politikanë të cilët kur u cënohen interesat e tyre personale dhe familjare na sjellin të kaluarën, rrezikun anglo- amerikan dhe Shqipëria në rrezik, temë e doktorratës së Enver Hoxhës.

Endrra e shqiptarëve: “integrimi në europë”, shëron përgjithmonë plagën e emigracionit. Këtë shpresë nuk na e ndal dot askush sepse askush nuk ka mundë të ndalë ndryshimin. Herakliti i lashtë mbetet bateria e shpresës së përjetshme të njerëzimit edhe për momentet më të rënda: “Nuk ka asgjë të përhershme përveç ndryshimit”! Po, “vetëm ndryshimi NUK NDALET”!

Nga politika kam mësuar shumë gjëra, po kujtoj njërën: “Noti, mësohet në ujë, jo në tokë!

 

REXHEP UKA

Fjala e mbajtur në festën e përvjetorit e 33-të të PD

Tiranë, 11 DHJETOR 2023

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com